E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stajnoviç, Kryetar i Këshillit për Komunitetet

Prishtinë - Këshilli Konsultativ për Komunitetet, i cili vepron nën autoritetin e presidentit të Republikës së Kosovës, në takimin e djeshëm zgjodhi përfaqësuesin e pakicës serbe, Bojan Stojanoviç, si kryesues të këtij Këshilli, me mandat njëvjeçar. "Unë vij nga bashkësia serbe, por në Këshill do të mbroj interesat e të gjitha komuniteteve të Kosovës", theksoi në një deklaratë pas zgjedhjes Stojanoviç, i cili është një nga dhjetë deputetët serbë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pjesëmarrës në takim, u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit që të jenë një zë i fuqishëm ndërlidhës me bazat deleguese të tyre dhe me qytetarët e vendit. "Do ishte mirë që të mos veçohen vetëm problemet e atyre që përfaqësoni, por interesat e të gjithë qytetarëve të të gjitha komuniteteve të Kosovës", theksoi Sejdiu. Sipas tij, Këshilli do të ndihmohet edhe nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe mekanizmat ndërkombëtarë, që kanë ndihmuar në këtë proces dhe në vetë konstituimin e Këshillit.

Përveç pjesëmarrësve nga komunitetet e ndryshme, në Këshillin Konsultativ për Komunitetet do të kontribuojnë me praninë e tyre edhe përfaqësuesit nga presidenca, qeveria, Kuvendi i Republikës dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›