Standarde të papranueshme

Të pranishëm në këtë konferencë përveç shumë politikëbërësve të tjerë janë edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ai i Turqisë Ahmet Davutogllu, kryediplomati bullgar Nickolay Mladenov, ai slloven Samuel Zhbogar, ish kryeministri i Hungarisë, Gordon Bajnai, ish ministri i Jashtëm i Finlandës Par Stenback, zëvendësministri i Jashtëm i Maqedonisë, Zoran Petrov, etj.
Në hapje të konferencës, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka thënë se iniciativa për këtë konferencë është që Kosova të jetë akter i sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë.
Ajo ka përcjell tek diplomatët e huaj dëshmitë se Kosova është gjendur shpesh në udhëkryqet e historisë dhe kjo përvojë u ka dhënë drejtim praktikave të reja të angazhimeve ndërkombëtare në formë të intervenimit ndërkombëtar që solli lirinë dhe pavarësinë dhe që si normë po përdoret në marrëdhëniet ndërkombëtar për të vendosur sistemin demokratik dhe vlerat e civilizimit në vendet që vuajtën nën regjimet diktatoriale.
“Unë jam e bindur se si rajon ne do të arrijmë të ndërtojmë dhe transformojmë institucionet dhe politikat tona në mënyrë që ato të jenë në përputhje me standardet më të larta, si dhe të jemi më efektivë në parandalimin e kërcënimeve që na kanosen sot”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka shtuar se lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit mbetet një prej prioriteteve më të larta të Kosovës dhe vendeve të rajonit.
Ndërkaq kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova gjithsesi por edhe gjithë shtetet e rajonit kërkon me të drejtë të jetë pjesë e projektit evropian në mënyrë meritore, të përgjegjshme, të jap ndihmën për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon, por edhe më gjerë.
“Anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në BE do të jetë faktori kyç për paqe e siguri jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Sa më shpejt që të përmbyllet ky proces aq më i sigurt do të jetë e ardhmja jonë”, ka thënë Thaçi.
Në emër të Qeverisë së Kosovës ai ka falënderuar gjithë shtetet e Evropës dhe botës për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.
Ai ka thënë se Kosova është shtet i ri, por me kulturë dhe traditë të lashtë, shtet funksional, shtet me borxhe të vogla dhe me rritjen më të madhe ekonomike në rajon.
Thaçi po ashtu ka rikujtuar se Serbia po përdorë standarde të dyfishta ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Është e patolerueshme që një shtet që aspiron anëtarësimin në BE të përdorë standarde të dyfishta. Këtë e them për të tërhequr vëmendjen tuaj lidhur me standardet që përdorë Serbia në raport mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Përderisa në rastin e parë Serbia përdorë pothuajse të njëjtën qasje që ka përdorur në shekullin e kaluar në raport me Kosovën, ndërsa në rastin e dytë përdorë qasje pretenduese moderuese evropiane. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Një shtet që aspiron anëtarësimin në BE nuk mund të cenojë sovranitetin e një shteti tjetër që gjithashtu aspiron anëtarësim në BE”, ka thënë Thaçi.
Për këtë qëllim ai ka thënë se ka filluar edhe dialogu teknik me Serbinë, që të përmbyllet kapitulli i marrëdhënieve të hidhura dhe të arrihen zgjidhje praktike në interes të të dy vendeve dhe dy popujve.
Konferenca ndërkombëtare “Germia Hill” e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe është duke vazhduar, ndërsa pritet që të ketë edhe paraqitje për media. Kjo konferencë do të vazhdojë edhe nesër. (Kosovapress)
Fillon “Gërmia Hill”
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe, ka nisur sot konferencën ndërkombëtare “Gërmia Hill”, e cila do të mbahet në Prishtinë.
Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme kanë deklaruar se qëllimi i këtij organizimi, është sensibilizimi i opinionit publik dhe i përmirësimit të imazhit, duke përdorur si mjet diplomacinë publike.
Është paralajmëruar pjesëmarrja e mbi 100 personaliteteve nga mbarë bota, përfshirë edhe ministra dhe ish-ministra të punëve të jashtme, të cilët për dy ditë do të diskutojnë çështjet më parësore të politikës së jashtme evropiane.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se konferenca të tilla do të jenë tradicionale, në mënyrë që Kosova t’i shtojë aktivitetet e veta diplomatike që si synim kanë sigurimin e mbështetjes nga diplomacitë e vendeve të ndryshme botërore.
“Me sugjerim të kryeministrit e kemi ndërmend që kjo konferencë të jetë tradicionale në Prishtinë. Ne do të dalim me një koncept edhe pas konferencës që Republika e Kosovës, në mënyrë tradicionale, të mbajë konferenca ndërkombëtare, që të prezantohet stabiliteti politik dhe të arriturat në Republikën e Kosovës”, thotë Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm thotë po ashtu se angazhimet e diplomacisë së Kosovës gjatë muajit nëntor, kanë qenë dhe janë të fokusuara në Evropë, për shkak të vendimeve që Bashkimi Evropian pritet të marrë gjatë fillimit të dhjetorit për vendet e rajonit në lidhje me proceset integruese.
“Ne kemi rënë në ujdi që gjatë muajit nëntor ta kemi fokusin në Evropë. Ka qenë sugjerim i kryeministrit që deri më 9 dhjetor, kur merren shumë vendime të rëndësishme për proceset integruese të Ballkanit, të jemi më aktivë në Evropë. Kemi arritur që gjatë këtyre javëve të takojmë shumë personalitete”, thotë Hoxhaj.
Të ftuar për pjesëmarrje në konferencën dyditore janë edhe ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, si dhe ministra të jashtëm nga vendet si: Shqipëria, Sllovenia, Finlanda, Maqedonia etj.
Fjalimet hyrëse do t’i mbajnë presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Jahjaga: Kosova faktor stabiliteti në rajon
Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, që tashmë është faktor stabiliteti në rajon, është e nevojshme të jetë anëtare e barabartë e të gjitha organizatave ndërkombëtare, e mekanizmave të sigurisë, me kapacitetet që janë trajnuar me standarde të NATO dhe të SHBA-ve, me qëllim të pjesëmarrjes së barabartë në misionet paqeruajtëse dhe humanitare nëpër botë, tha presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, transmeton telegrafi.
Presidentja Jahjaga këto komente i bëri në konferencën e ministrave të Punëve të Jashtme “Evropa juglindore në epokën multipolare”, që po mbahet në Prishtinë, në të cilën po marrin pjesë personalitete nga mbarë bota.
Ajo tha se si të gjitha shtetet e rajonit, Kosova ka për synim integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Si shtet ne synojmë të ndërtojmë dhe forcojmë tutje partneritetin tonë strategjik dhe permanent me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ndajmë përkushtimin për vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë”, vlerësoi Jahjaga, duke shtuar se Kosova ndjekë politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet dhe është ndërtuar në parimin qytetar.
“Vendet tona kanë kaluar nëpër histori të dhimbshme, me pasoja të rënda për të gjithë. Duke mësuar nga e kaluara, ne mbështesim parimin se të gjitha shtetet dhe popujt janë të barabartë. Pavarësisht nga numri dhe nga madhësia e territorit japim kontributin në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, duke lënë njëherë e përgjithmonë mënjanë politikat e hegjemonisë, të kërcënimeve për përdorim të dhunës, të rivendikimeve historike dhe ideologjive të urrejtjes”, u shpreh ndër të tjera Jahjaga.
Ajo pohoi se transformimi në shkallë globale, që vjen pas rënies së epokës së polarizimit, e rënies dhe ngritjes së superfuqive dhe ndryshimeve të mëdha në strukturat ndërkombëtare vendimmarrëse, i hapë rrugë periudhës në të cilën po hyjmë e që është epoka e integrimeve dhe partneritetit, epoka e mundësive të pashtershme.
“Ajo që unë mendoj është se sot multipolariteti i botës nuk matet me fuqinë e shteteve individuale, as me ndikimin e tyre në paqen botërore ose me ndikimin e dominimin në kontinentin e caktuar. Ky është një këndvështrim por nuk e konsiderojë domethënës dhe gjithëpërfshirës. Ajo që unë e vlerësoj sot si multipolaritet është Bashkimi Evropian, është NATO, është Organizata e Kombeve të Bashkuara, që tubojnë rreth vetes shtete dhe kombe që kanë një vizion të bazuar në dinjitet, në liri dhe barazi, por edhe në ndihmë reciproke dhe zbatim të politikave të harmonizuara”, shprehet presidentja.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe, ka organizuar një konferencë ndërkombëtare.
Qëllimi i këtij organizimi thuhet se është sensibilizimi i opinionit publik dhe i përmirësimit të imazhit, duke përdorur si mjet diplomacinë publike. Në konferencë është paralajmëruar pjesëmarrja e mbi 100 personaliteteve nga mbarë bota, përfshirë edhe ministra dhe ish-ministra të punëve të jashtme, të cilët për dy ditë do të diskutojnë çështjet më parësore të politikës së jashtme evropiane.