E Shtunë, 31 Tetor 2026

Starbucks, kafe të hidhur Obamës

Schultz ka marrë shumë përgjigje pozitive nga ana e këtyre firmave për propozimin e bërë lidhur me ndërprerjen e donacioneve ndaj partive politike për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012. Që nga dita që është zgjedhur, Obama ka prishur qetësinë e shumë qarqeve me anë të politikave të tij. Kriza e borxheve ishte pakënaqësia e fundit e tyre.

Rritja e nivelit të borxhit të jashtëm dhe shkurtimet buxhetore, masa që demokratët i morën në bashkëpunim me republikanët, kanë trazuar marrëdhëniet e Obamës me bizneset.

E-maili i drejtorit ekzekutiv të zinxhirit të famshëm të kafes, Starbucks, ku shkruhej se “kemi vendosur të braktisim politikën”, bëri bujë të madhe si një ndër të parët e këtij lloji në historinë e SHBA-ve. Schultz theksoi në letrën e tij se ishte i zhgënjyer nga dështimi i politikanëve dhe se për këtë arsye kishte vendosur të mos jepte donacione për zgjedhjet presidenciale dhe ato për kongresin.

Drejtuesi i lartë i Starbucks nuk vonoi të merrte përgjigje edhe nga 50 firmat e mëdha, të cilave ai u kishte bërë thirrje të bënin të njëjtën gjë. Kështu, së bashku me Starbucks, edhe kompanitë e këmbimit Nasdaq OMX dhe NYSE Euronext kanë bërë të ditur vendimin e tyre për të ndërprerë financimin e partive politike në zgjedhje.

Drejtuesi i Nasdaq OMX, Robert Greifeld theksoi se “për mendimin tim, ideja e Schultzit është e jashtëzakonshme. Ne do e mbështesim atë”. Pyetja që ngrihet pas ndërprejes së financimeve nga ana e kompanive kryesore amerikane, është: A do të arrijë Obama të mbledhë fonde për fushatën e vitit të ardhshëm?

Ekspertët, të cilët dinë mirë afrimitetin e firmës së fuqishme Starbucks me Izraelin, theksojnë se në marrjen e vendimit për të ndërprerë financimet ka ndikuar edhe fjalimi i Obamës i muajit maj, lidhur me politikën amerikane në Lindjen e Mesme. Fjalimi i atëhershëm i Obamës, i cili u shpreh pro zgjidhjes me dy shtete, “me një Palestinë të përshtatshme për të jetuar dhe një Izrael të sigurtë”, u kritikua ashpër nga mbështetësit e Izraelit.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2011-08-23 10:20
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›