Vrasja, KE: Duhen hetime të hollësishme
Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, u kërkoi autoriteteve kryerjen e hetimeve të hollësishme dhe dërgimin e fajtorëve para drejtësisë.
TIRANË- Komisioni Evropian dënoi dje vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Përmes një njoftimi zyrtar, komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Olli Rehn, u ka kërkuar autoriteteve që të kryejnë hetime të hollësishme, si dhe dërgimin e fajtorëve para drejtësisë.
"Dënoj me vendosmëri vrasjen e Fatmir Xhindit dhe u kërkoj autoriteteve kryerjen e hetimeve të hollësishme, si edhe dërgimin e fajtorëve përpara drejtësisë'', - thuhet në komunikatën për shtyp të komisionerit për Zgjerimin, Olli Rehn. Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, u vra mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të banesës së tij në qytetin e Roskovecit, në rrethin e Fierit. Ai është qëlluar me armë kallashnikov.
Ndërkohë, prokuroria po punon në 4 pista hetimi për zbardhjen e vrasjes së deputetit Xhindi. Pas kësaj ngjarjeje tragjike, kanë reaguar krerët më të lartë të shtetit, Avokati i Popullit, si dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Së fundmi, një reagim zyrtar vjen edhe nga komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn.
I ndjeri Fatmir Faslli Xhindi, lindi më 1 prill 1960, në Fier. Ai u diplomua në Universitetin "Eqerem Çabej", fakulteti Histori-Gjeografi, dega Histori, Gjirokastër, në vitin 1986. Në vitin 2003 ai mori një diplomë të dytë në Universitetin e Tiranës, si dhe një post-diplomim Master për Shkencat Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë.
Përpara se të niste karrierën politike, Xhindi ka punuar në vitet 1986-1989 si mësues historie në fshatin Vlosh të Fierit, e më pas ka qenë drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar Kurjan, po në Fier.
Që në vitin 1991 ai ka qenë anëtar i PSSH-së, dhe përgjatë dy viteve para kësaj, 1989-1991, ka ushtruar detyrën e kryetarit të Këshillit të Bashkuar Kurjan në Fier.
Në vitet 1992-1996, i ndjeri Xhindi ka qenë kryetar i Komunës Kurjan, Fier. Xhindi ishte anëtar i Komisionit për Pushtetin Vendor pranë KPD-së të PS-së, si dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në Kuvend. Zona e tij zgjedhore ka numrin 68, i përket Qarkut Fier dhe në 2005-ën, i ndjeri ka marrë 6708 vota, ose 45%.