Starova: PS synon të njollosë përpjekjet e qeverisë për zgjedhje të lira
Partia Bashkimi Liberal Demokrat konsideron abuzive fushatën propagandistike të Partisë Socialiste, që sipas saj synon të njollosë përpjekjet e qeverisë në realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke lëshuar ultimatume lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, ultimatume që nuk përputhen me sjelljen politike në sistemet demokratike.
Kryetari i PBLD, Arjan Starova gjatë një deklarate për shtyp ka bërë një krahasim midis përdorimit të gjuhës nga PS-ja, që sipas tij të kujton politikën e vjetër të tyre, të cilët në 97-ën e çuan vendin në prag të luftës qytetare. Është e pamoralshme të mendohet se qeveria që drejton me sukses vendin prej mëse tre vitesh, të jetë e interesuar të prishë normalitetin e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Kjo është një përgjegjësi jo vetëm e qeverisë, por edhe e opozitës, sepse një pjesë e mirë e njësive bashkiake dhe e komunave qeveriset nga socialistët, ka theksuar Starova. Ndër të tjera, kreu i BLD-së i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga kjo politikë pa të ardhme, për të treguar se Shqipëria është e aftë të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një konkurrence dhe bashkëpunimi ndërpartiak, në përputhje me standardet demokratike. PBLD javën e kaluar ka rinovuar kontratën politike të saj të bashkëpunimit politik me PDSH, duke nënshkruar marrëveshjen elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas kryetarit Starova, me këtë marrëveshje PBLD nuk e ndan asgjë nga PDSH. Ne na ndajnë idetë, të cilat hyjnë në kuadrin e larmive, pra diversitetit, po brenda një strategjie, pra, në këtë kuptim. Vetëm koloret e një spektri të djathte, të konsoliduar, ka theksuar ai.