E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, LSI: Po ta lejojmë, Berisha merr edhe shtëpitë tona për tia shitur Fazlliçit

Me banorët e lagjes Uji i Ftohtë në qytetin e Vlorës, që janë konfrontuar me forcat e gardës së republikës dhe uniformat blu në mbrojtje të tokës që u takon sipas të gjitha ligjeve, është bashkuar ditën e djeshme edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i LSI, Besian Pesha dhe kryetari i degës lokale të LSI, Harilla Thanasko. Pasi kanë dëgjuar të gjitha ankesat e këtyre banorëve që ishin grumbulluar për të vazhduar protestën e tyre dhe pasi janë njohur me të gjithë dokumentacionin që disponojnë këto familje, ata kanë folur përpara medias. Kemi ardhur për të dënuar dhunën e ushtruar nga forcat e rendit dhe gardistët mbi familjarët që kërkojnë të drejtën e tyre, u shpreh Pesha, duke shtuar se kam këtu një dokumentacion të plotë që vërteton pronësinë e këtyre familjeve mbi këto prona. Kam në dorë një vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare që nuk po merret parasysh. Kam në dorë një certifikatë të saktë pronësie lëshuar nga zyrat e RVPP që gjithashtu nuk po merret parasysh. Pesha shprehu sigurinë se si kjo certifikatë kanë me dhjetëra familje shqiptare që nuk po e gjejnë të drejtën e tyre dhe përballen me padrejtësitë e shtetit të korruptuar shqiptar. Kam në dorë një hartë ku përcaktohet saktësisht se ku shtrihet prona e këtyre familjeve që kërkojnë të mbrojnë të drejtën e tyre dhe i mbështesim ato në të drejtën e tyre, vijoi Pesha. Ai i ka kërkuar fillimisht Drejtorit të Policisë që të largojë menjëherë nga ky rrethim të gjitha forcat e rendit dhe ti lejojnë këto familje të bëjnë jetën e tyre normale. Gjithashtu, ai i ka bërë apel të gjithë shqiptarëve që të mos heshtin përpara këtyre veprimeve. Sipas tij, nëse e lejojmë këtë gjë, atëherë Sali Berisha do të marrë forca dhe mund të kërkojë të na marrë të gjithë shtëpitë që kemi. Të na marrë shtëpitë për tia shitur me një çmim prej një euro Fazlliçit dhe fazlliçëve që i rrinë atij pas siç u rrinë edhe djalit dhe vajzës së tij, tha Pesha. I të njëjtit mendim me të ka qenë edhe kryetari i degës lokale të LSI, Harilla Thanasko. Ai theksoi se kjo forcë politike do të jetë pranë këtyre familjarëve, derisa ata të marrin të drejtën e tyre. Edhe sot në këtë territor pranë vilave qeveritare në Vlorë kanë qenë të instaluara forca të shumta të policisë dhe të gardës së republikës ndërkohë që banorët e familjeve që preken nga ky rrëmbim I hapur I truallit kishin vendosur të protestonin sërish. Në mbrojte të këtyre familjarëve kanë dalë edhe forca të tjera politike në këtë qytet. Edhe kryetari i PS dega Vlorë, Eltar Deda është shprehur se e drejta qëndron me familjarët që mbrojnë pronën e tyre dhe se kjo forcë politike nuk do të lejojë që të përdhoset e drejta e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›