Statistika. Dhjetë pikët e medha te Shqipërisë

Dash Frashëri
Trajneri Baric është një hap larg barazimit apo thyerjes së rekordit të vendosur nga paraardhësi i tij, gjermani Hans Peter Brigel, që me 13 pikët e grumbulluara në fushatën kualifikuese të Botërorit 2006, theu edhe tabunë e pikëve me dy shifra në historinë ndërkombëtare të Shqipërisë Me dhjetë pikët e grumbulluara në nëntë takime dhe me 3 ndeshje ende për t'u luajtur, tekniku kroat synon marrjen e katër pikëve, që do ta vendoste 75-vjecarin në piedestalin e futbollit ndërkombëtar shqiptar, që në 61 vitet ndërkombëtare të tij, ka mundur të fitojë një Kampionat Ballkanik dhe një "Kupë Rothmans" në turneun e Maltës. Nëse rruga e Shqipërisë do të ndërtohej në bazë të një grafiku, kurba e tij do të kishte një zigzage interesante: herë me dy humbje rresht, më pas me dy barazime të njëpasnjëshme, për t'u pasuar me dy fitore. Ekstremet e këtij grafiku, pikënisja dhe pikëmbërritja e deritanishme kanë shenjën e barazimit, cuditërisht të marra në transfertë, i pari në Minsk dhe i katërti në Celje.
FITORET – Për hir të së vërtetës janë dy të lehta. Me Luksemburgun, një nga ekipet më modeste në botë, por që arriti të argëtojë Europën me fitoren kundër Bjellorusisë (0-1) në transfertë. Kundër formacionit me lojtarë amatorë të Gi Helers Shqipëria luajti për herë të parë me tre sulmues të mirëfilltë (Bushi-Kapllani, me Berishën si sulmues të maskuar), por fituesi i madh i 180 minutave të luajtura brenda katër ditëve, në "Qemal Stafa" (2-0) dhe "Josy Barthel" (0-3), ishte sulmuesi i Karlsruhes, Edmond Kapllani, i cili me 3 golat e tij udhëheq edhe renditjen e golashënuesve. Për fat të keq, durrsaku nuk është pjesë listës kundër Sllovenisë dhe Bullgarisë. Golat e tjerë të shënuar nga Altin Haxhi në Tiranë dhe Ervin Skela në Luksemburg. Dy fitore: 6 pikë.
BARAZIMET – Janë ato që i japin argumentin të mburret Baric. Katër të tilla, dhe për më tëpër tre transfertë, përbëjnë edhe një rekord për Shqipërinë, të arritur kurrë më parë. Barazimi i parë i përket atij me Bjellorusinë modeste (2-2, gola të Skelës, me penallti dhe Hasit, me një goditje të lirë). Dy barazimet janë marrë kundër rivalit të drejtpërdrejtë për vendin e katërt Sllovenisë (dhe të dyja, 0-0), ku ai në Shkodër mund të ishte edhe pjesë e fitoreve". Barazimi i madh mbetet ai me Bullgarinë.
Katër barazime: 4 pikë. Sa për statistikë në eliminatoret e Euro 2004 nuk morrëm asnjë pikë në 4 ndeshje të luajtura kundër Rusisë, Irandës, Zvicrës dhe Gjeorgjisë, ashtu si dhe në elinatoret e Botërorit të vitit 2002, ku nuk u shkëputëm asnjë pikë Finlandës, Gjermanisë, Anglisë dhe Greqisë. Në kualifikueset e Euro 2000 në transfertë morrëm 2 pikë, ndërsa në kualifikueset e Botërorit 2006 arritëm 4 pikë.
HUMBJET - Janë tre të tilla. Nuk të vjen keq të humbasësh me dy nga ekipet më të mira në botë: Holandën e 5-ta dhe Rumaninë e 12-ta, pavarësisht hidhërimit për tre humbje, të cilat nëse gjyqtarët: izraeliti Jefet në Amsterdam dhe anglezi Rilej në Tiranë, nuk do të qëllonin të ishin të dashuruar me "portokallet" e Marko van Bastenit, do të kishim marrë dy barazime me holandezët, dhe nëse Bekim Kastrati nuk do të kishte bërë gafën duke i dhuruar topin Dikës që nuk përtoi ta conte topin në rrjetë, atëherë edhe humbja me rumunët e Viktor Piturkës (0-2) mund të përfundonte në barazim. Gjithsesi, 3 humbje në 10 ndeshje, mund të konsiderohen rezultat pozitiv për Kombëtaren e Shqipërisë, e cila pret në tri ndeshjet e fundit: një fitore me Bjellorusinë, një barazim me Bullgarinë dhe një humbje (ndoshta) me Rumaninë.