E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendorët socialistë protestojnë sot para Kryeministrisë

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetarët e njësive vendore të kryesuara nga socialistët do të protestojnë sot në orën 11 para Kryeministrisë për cenimin e autonomisë vendore. Drejtuesit e komunave dhe bashkive tashmë prej javësh kanë kundërshtuar një sërë projektligjesh të qeverisë të cilat, sipas tyre, cenojnë autonominë e pushtetit vendor. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i shoqëruar nga drejtuesit e tjerë vendorë, përfaqësues të opozitës, kanë zhvilluar pak ditë më parë një takim me Ian Micallef, president i Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës. Në takimin e zhvilluar, bashkiakët socialistë shprehën shqetësimin e tyre për cenimin e autonomisë vendore nga pushteti qendror si dhe vendimin e tyre për të protestuar kundër presionit të qeverisë. “I shpreha Presidentit të Kongresit të Autoriteteve Lokale, të gjitha shqetësimet tona, i bëra me dije së bashku me kolegët e tjerë, kryetarë bashkish të opozitës, gjendjen alarmante të autonomisë vendore dhe presionin skandaloz të kësaj qeverie ndaj bashkive dhe komunave të opozitës, në mënyrë të veçantë, por njëkohësisht edhe sjelljen tërësisht abuzive, në tërësi ndaj pushtetit vendor si dhe e njoftova për masat që ne po marrim, në drejtim të një proteste të fortë dhe një proteste të gjatë, deri kur qeveria të kthehet në rrugën e respektimit të autonomisë vendore, të Kartës Evropiane të Autonomisë, Kushtetutës dhe Ligjit dhe do të heqë dorë nga keqtrajtimi i njësive vendore të opozitës si dhe nga rruga pa krye që bie në kundërshtim me procesin e decentralizimit të shëndetshëm, për të gjitha njësitë vendore të vendit dhe për vendin në tërësi”, - tha Rama pas takimit. Për këto shqetësime ata do të protestojnë sot para Këshillit të Ministrave.

Ky lajm është publikuar: 15/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›