Statuti dhe programi, PS ngrin ndryshimet
Protestat dhe kriza politike shtyjnë axhendën e brendshme të selisë rozë
Kriza politike shtyn shqyrtimin dhe miratimin e paketës së ndryshimeve në statutin dhe programin e Partinë Socialiste. Ndonëse ishte parashikuar që në muajin janar, këto dy paketa të kalonin në sitën e Kryesisë, më pas në muajin shkurt në Asamblenë Kombëtare dhe në prill në Kongres, deri më sot nuk është hedhur as hapi i parë për t’i realizuar këto synime. Kriza politike, protestat dhe bojkoti që e kanë shoqëruar PS-në në muajt e fundit, e kanë zhvendosur vëmendjen nga këto dy synime. Deri më tani, grupet e punës janë mbledhur disa herë, kanë vendosur kontakte me parti europiane për të marrë prej tyre eksperiencën e duhur, ndërsa anëtarësisë së partisë i është shpërndarë një pyetësor, ku janë shtruar disa pyetje për ndryshime në statut. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të datës 17 tetor u vendos ngritja e grupeve të punës, një prej të cilëve drejtohet nga vetë Edi Rama dhe një tjetër nga Gramoz Ruçi. Asambleja përcaktoi se drafti i ndryshimeve duhej të paraqitej para Kryesisë brenda muajit janar, por meqë grupet nuk kanë dalë në asnjë përfundim apo analizë, gjithçka shtyhet për më vonë, pasi partia për momentin është e angazhuar tek aksioni i saj politik. Sakaq, Kryesia nuk është mbledhur prej mesit të muajit tetor dhe ndarja e saj mbi qëndrimin e PS për bojkotin dhe protestat është reflektuar sidomos te ndryshimet në statut. Ben Blushi dhe grupi i deputetëve që e mbështet, ka bërë një paketë propozimesh, por pika kryesore është ajo e përfshirjes së fraksioneve dhe dorëheqja e kryetarit, nëse ai humb zgjedhjet, duke mos pasur të drejtë rikandidmi. Pyetja për fraksionet ishte e përfshirë edhe në pyetësorin që i është drejtuar anëtarësisë socialiste.
Këto pika, referuar edhe së kaluarës, pritet të shkaktojnë debate brenda Kryesisë dhe në veçanti në Kryesi. Kryetari Edi Rama nuk ka dhënë asnjë sinjal se çfarë do të ndodhë me këtë strukturë apo me sekretariatin, pasi ai ka të drejtë të propozojë riformatimin e tyre. Sa i përket ndryshimeve në program, PS synon të bëjë për vete disa prej shtresave të cilat nuk kanë qenë ndonjëherë votuese të saj, siç janë ish-pronarët, ish të përndjekurit etj. Sakaq, PS po kërkon edhe identitetin e saj, duke bërë një rivlerësim të figurave të së majtës. Fan Noli, një figurë e rëndësishme politike dhe historike e viteve ‘20-‘30 në vendin tonë, duket se do të zërë një pozicion të rëndësishëm në historinë e së majtës. “Mund të duket e tepruar, por rivarrosja e dy figurave të veçanta të historisë, Fan Noli dhe Ahmet Zogu, duhen kuptuar qartë. Zogu përbën gjenezën e së djathtës, ndërsa Noli të së majtës. Këto dy figura mbeten aq të çuditshëm përballë njëri-tjetrit, ashtu siç mbeten të çuditshme e majta dhe e djathta sot”, është shprehur një prej anëtarëve të këtij grupi, Pandeli Majko. Grupi për ndryshimet në program drejtohet nga Edi Rama dhe përbëhet nga: Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi, Ditmir Bushati, Besnik Baraj, Ervin Bushati, Eglantina Gjermeni, Ermelinda Meksi, Gëzim Tushe, Ilir Beqja, Namik Kopliku, Olta Xhaçka, Pandeli Majko, Shkëlqim Cani, Valentina Leskaj dhe Vasilika Hysi. Grupi i punës për projektin e ndryshimeve në statutin e partisë dhe librin e rregulloreve drejtohet nga kryetari i AK-së, Gramoz Ruçi, dhe përbëhet nga: Arben Ahmetaj, Agustin Marku, Bashkim Fino, Blendi Klosi, Damjan Gjiknuri, Erjon Braçe, Elvira Shapllo, Ethem Ruka, Fatmir Xhafaj, Genc Gjonçaj, Ilir Gjoni, Maqo Lakrori, Musa Ulqini, Namik Dokle, Ndue Doda, Rajmonda Gjoni, Saimir Tahiri dhe Taulant Balla.
#