E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti, vjen delegacioni i FIFA-UEFA

Një delegacion i FIFA-s dhe UEFA-s ka mbërritur në Tiranë, dy javë pas ripranimit të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtare të futbollit. 

Delegacioni i ndërkombëtarëve i përbërë nga Zherom Shampanj, shefi i marrëdhënieve ndërkombëtare të FIFA-s, Marcel Benz, shefi i zyrës ligjore të UEFA-s dhe delegatja e FIFAS-s Eva Paskuer, kanë zhvilluar dje një takim me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, me Sekretarin e Përgjithshëm, Arben Bici, si dhe me drejtuesit e disa klubeve të Kategorisë Superiore. Në këtë takim është diskutuar për problemet që kanë shqetësuar futbollin shqiptar në muajt e fundit. Ndër pikat e prekura në këtë diskutim ka qenë kërcënimi me bojkot të kampionatit i disa klubeve shqiptare. Ky kërcënim i tyre për bojkot, i deklaruar në momentin që Shqipëria ishte e pezulluar, ka shënuar padyshim një precedent të keq në raportet e FIFA-s dhe UEFA-s me anëtarët e saj. Takimi i dytë ka qenë me ministrin e Sporteve, Ylli Pango, ku është diskutuar neni i ngrirë i Statutit, ai 53 që ishte edhe arsyeja e pezullimit që zgjati një muaj, si edhe ligji i Sporteve, që në shumë pika bie ndesh me udhëzimet e dhëna nga FIFA dhe UEFA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›