E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stavileci i premton ndihmë Institutit të Bujqësisë

Pejë, 3 gusht-Ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci u ka premtuar krerëve të Institutit Bujqësor në Pejë se do të kenë përkrahjen e ministrisë që ai drejton. Ndihmën e ka identifikuar me shqetësimet e nikoqirëve të tij për tokat e mbetura djerrinë për mungesë të sistemit të ujitjes.
“është e vërtetë se ky institucion domethënës për zhvillimin bujqësor përballet me problemin e ujitjes së tokave që ka, prandaj do të shohim të gjitha mundësitë tona dhe të partneritetit me investitorët ndërkombëtarë që ta zgjidhim këtë problem”, është shprehur Stavileci.
Këtë premtim Stavileci e ka bërë pasi ka parë mbi 110 hektarë toke, pronë e këtij instituti në Vitomiricë, shumica prej të cilave kanë mbetur të papunuara në mungesë të ujitjes.
Drejtori i këtij instituti, Fehmi Geci, bashkë me ministrin Stavileci kanë parë edhe mundësitë e shtrirjes së rrjetit për këto toka. Një projekt i punuar mirë i është prezantuar të parit të bujqësisë, kostoja e të cilit, sipas Gecit, është 200 mijë euro. “Ne kemi pasur disa premtime nga organizata “Tika” e Turqisë, por gjithçka deri tashti është në suazat e premtimeve”, ka thënë Geci, duke insistuar se bërja e kësaj sipërfaqe me sistem ujitjeje është një e mirë që gjeneron produkte të shumta.
Instituti i Bujqësisë në Pejë është institucion që merret edhe me hulumtime të zhvillimit të kulturave bujqësore në shkallë vendi. Aktualisht, vetëm 35 hektarë toka të tij ujiten nga sistemi i vjetër i ujitjes, ndërsa hektarët e tjerë janë jashtë sistemit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›