E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stavridis: Trupat e NATO-s, reduktim të mëtejshëm në Kosovë

PRISHTINë- Komandanti i NATO-s, admirali Xhejms Stavridis, tha se shpreson për reduktime të mëtejme të trupave në Kosovë këtë vit në saje të përmirësimit të gjendjes së sigurisë. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia Europa e Lirë. Në një konferencë në Uashington, komandanti suprem i forcave të NATO-s, admirali amerikan Xhejms Stavridis tha se situata në Ballkan “nuk është e përsosur, por po shkon në drejtim të duhur”.

Duke theksuar se NATO-ja tashmë ka vendosur t’i zvoglojë trupat në Kosovë nga 15.000 në 10.000, Stavridis tha se ai “me siguri” do të rekomandojë reduktimin e mëtejmë të trupave nga fundi i vitit 2010. Në shtator, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, shpalli se aleanca do t’u përmbahet planeve për të reduktuar forcat paqëruajtëse të KFOR-it nga 15 mijë në 10 mijë në fillim të vitit. Por admirali Stavridis tha se reduktimi do të jetë edhe më i madh. “Unë po i reduktoj trupat atje nga 15 mijë në 10 mijë, dhe ndoshta në 5 mijë nga fundi i vitit”, tha Stavridis.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›