E Diel, 1 Nëntor 2026

Stefania Casini: Ju rrëfej të rinjtë që mbjellin tokat e Korleones

TIRANE- Një shuplakë mafias". Kështu titullohet filmi i regjisores italiane Stefania Casini, u shfaq mbrëmë ( e enjte) në orën 20:00 në akademinë "Marubi", në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të drejtat e njeriut. Regjisorja na rrëfen idenë dhe punën e bërë në pronat e mëdha të mafias italiane, na tregon për ullishtën e grurin e djegur nga mafia si kërcënim që në ato toka s'ka vend kushdo...Por Casini ndalet kryesisht në vullnetin e të rinjve të kooperativave që i punojnë këto toka dhe thyerjes së mentalitetit se mafia nuk preket.
Sa e vështirë ishte të realizonit një film në tokën e mafias?
Duhet kuptuar që mafia ka mënyra të ndryshme për të reaguar. Në këtë kooperativë kanë djegur plantacionet e ullinjve. Por mafia ka edhe mjete të tjera. Mundohen të infiltrohen në kooperativa, por po ndodhi kjo, atëherë kooperativa do të mbyllet dhe produktet e të mirat e konfiskuara mbeten aty dhe në një kohë tjetër mund t'i kalojnë edhe vetë mafias.
Cilat janë mënyrat e infiltrimit?
Duhet të keni parasysh se në këto kooperativa, sidomos në atë që ata të rinj kanë punuar, janë të Korleones, që është zemra e mafias. Në një fshat të tillë, ka gjithmonë mënyra për t'iu afruar dikujt e për t'i thënë,'ki kujdes". Kjo është një shenjë. Ti nuk e di kurrë se ku është mafia. Të rinjtë që punojnë në kooperativa më thoshin se shpeshherë gjendeshin në vende ku nuk punon as celulari dhe shihnin të kalonin makina që nuk i kishin parë asnjëherë tjetër... Dhe mendonin 'kush janë ata?'
'E dimë që vëzhgohemi, por se dimë se nga kush, ndaj shpesh i shoqëronin karabinierët. Mafia mund të jetë kushdo. Mund të jetë edhe miku yt mafioz, e ti nuk e di. Ndaj është ky rreziku i vërtetë. Mund të djegin një ullishte dhe ti e mbjell prapë siç kanë bërë ata, por, kur ti e ke mafian brenda, që të ka hyrë si një krimb aty ngadalë...kjo është pjesa e vështirë.
Si arritët ta realizonit këtë film? Si erdhi ideja?
Këta të rinjtë që kanë kooperativa në jug, kishin tokën që e kishin marrë nga shteti, por nuk kishin mjetet me të cilat ta punonin këtë tokë. Ndaj i kishin shkruar këtyre kooperativave të veriut që janë më të fuqishëm, e që ndihmojnë njëra-tjetrën. Unë isha në Marok për të bërë një dokumentar, ku takova një grua që ishte presidente e një kooperative agrikulture, e që kishte marrë letrën e këtyre të rinjve. Ajo ma tregoi këtë histori. Dhe unë me t'u kthyer në Itali, shkova në jug për të parë kush ishin këta të rinj? Përse ishin kaq të pasionuar dhe përse kishin vendosur të merreshin me këto toka? Ata që takova unë ishin kooperativa e parë që po punonin në tokat e mafias. Doja të dija edhe cilat ishin vështirësitë e tyre. Fillova të rrija me ta e të shihja se cilat ishin problemet e tyre për ato dy vjet. Ata nuk kishin marrë rrogat për dy muaj.
Cili ishte qëllimi i tyre?
Qëllimi ishte, të tregonin se mund t'ia dalësh mbanë nëse punon ndershmërisht edhe në terrenet që janë në zemër të mafias, madje të mund të ndërtosh një të ardhme pa qenë nevojë të emigrosh. Ky ishte mesazhi dhe ky mesazh u përhap sepse në fshatra të ndryshëm si "Piani dell Albanesi" të rinjtë e tjerë i shikonin dhe u thoshin se ishte e pamundur, se s'do t'ia dilnin, se kishin një vit që punonin dhe s'kishin nxjerrë gjë në dritë. Por, pastaj u pa që ngadalë, nëse iu duhej një punëtor e merrnin, por e paguanin ligjërisht. Kështu puna u bë ligjore dhe për 2 vite, ka të rinjtë të tjerë që iu thonë, a mund të punojmë për ju?
Pra, kjo është fitorja e vërtetë. Është thyer mentaliteti mafioz në vendin e mafias.
Këta të rinjtë që punojnë nga cili shtet janë?
Janë italianë të gjithë, dhe jetojnë në jug të Italisë.
A ka arbëreshë ndër ta?
Jo nuk ka arbëreshë që punojnë në kooperativa.
A ka pasur incidente mes këtyre të rinjve dhe mafias?
Kanë djegur ullishtën që iu thashë në këtë kooperativë, ndërsa në një kooperativë tjetër kanë djegur grurin. Por jo incidente fizike.
Po kërcënime ka pasur?
Kërcënimet kanë qenë, po kanë ardhur nga "poshtë". Mafia nuk bën kërcënime të drejtpërdrejta. Ajo ka një kod sekret. Dy nga të rinjtë kanë ikur nga kooperativa se kishin frikë. Në fillim ishte e vështirë sepse edhe prindërit e të rinjve iu thoshin të kishin kujdes.
Po si erdhëm deri këtu?
Shteti italian miratoi një ligj që pronat e konfiskuara të mafias t'iu jepeshin për përdorim kooperativave që formoheshin për të punuar këto toka, të rinjtë shkruanin që duam të jemi pjesë e këtyre kooperativave. Pastaj policia bënte investigime të hollësishme që këta të rinj të mos kishin të bënin me mafian. Ndaj, kur u formua kooperativa, të rinjtë nuk ishin miq e nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Kjo ishte një tjetër vështirësi. E them këtë sepse ata duhej të drejtonin punën, duhet të bënin plane e të ndërtonin një shoqëri.
Ku duket sot dora e shtetit në ndihmë të këtyre të rinjve?
Qeveria është prezente, sepse ministria e Brendshme konfiskon pronat, i jep për përdorim dhe pasi formohet kooperativa, ua jep atyre. Për rreth 7 a 8 muaj policia i kontrollon që ata s'kanë lidhje me mafian. Pas dy vitesh kanë filluar të marrin para sepse puna e tyre po jep frytet. Kooperativat që janë hapur më herët janë më mirë. Tashmë produktet e këtyre tokave, gruri apo ullinjtë, përpunohen në Shoqërinë "Libera" dhe shpërndahen në dyqane e supermarkete. Njerëzit e dinë se këto produkte janë biologjike e të mira dhe e dinë se duke i blerë këto produkte ndihmojnë këtë program. Karabinierët i kanë ndihmuar të rinjtë, sepse në fillim duheshin gjetur kufijtë e tokave të dhëna për përdorim. Sepse ti ke një copë tokë diku, por rreth e rrotull ke toka që janë ende të mafias, e duhet të kesh kujdes.
Kjo bëhet e rrezikshme dhe karabinierët i shoqëronin.
A keni pasur frikë kur realizonit filmin?
Jo. Unë nuk kam frikë për nga natyra, sepse kam qenë edhe në luftë. Pastaj, pjesën më të madhe e kam xhiruar vetë, nuk është se kisha një staf të madh që më shoqëronte e të binim në sy. Ishte pak e çuditshme kur shkoja në lokalin e Korleones. Aty burrat më shihnin në një mënyrë të çuditshme, dhe veç kësaj, unë e dija që ata e dinin se çfarë po bëja aty.
Po dokumentarët e tjerë që keni bërë ju, përse flasin?
Kam bërë dokumentarë në Sudan, por edhe shumë seri për televizionin italian si "Amerika latine, historitë e grave", por kam qenë edhe Guatemalë, ku kam bërë një film që flet për gra që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme.
Po në Shqipëri?
Po xhiroj një film në Shqipëri të titulluar "Made in Albania". Është një vëzhgim mbi Shqipërinë e sotme me 20 vite demokraci. Si e shohin Shqipërinë tre djem 20-vjeçar, dy shqiptarë e një italian. Kam ardhur 8 vjet më parë në Shqipëri për një seri dokumentarësh me titull "Të kesh 20 vjet...". Shkoja në çdo vend të Europës që donte të hynte në BE si në Rumani, Bullgari, Qipro. Më thanë të vija në Shqipëri, por nuk doja se isha shumë paragjykuese. Producenti im më tha që duhej të vija patjetër dhe erdha. Kur mbërrita këtu, gjeta një vend tjetër nga ai që kisha menduar. Më ka pëlqyer shumë mikpritja juaj, sensi i familjes, por edhe kontradiktat, anarkizmi si edhe traditat antike që përplasen me ligjet moderne. Kështu vendosa të bëjë këtë dokumentar. Kam producente Sabina Kodrën dhe dokumentari fillon në Itali. Një djali i vjedhin motorin dhe i thonë që e ka marrë një puljez e do ta çojë në Shqipëri. Ai vjen këtu për të kërkuar motorin... Edhe ai niset me paragjykime. Kështu tregohet Shqipëria e sotme me sytë e dy të rinjve shqiptarë që italiani takon këtu.
E gjejnë motorin?
Jo sepse ai është vjedhur në Itali dhe atje ka mbetur, nuk është këtu.
(Intervista është botuar sot në Gazeta shqiptare)
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›