Stërvitjet, Han befasohet nga lojtarët

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, ka mbetur i kënaqur nga forma e lojtarve pas seancës që kryen kuqezinjtë dje pasdite. Lojtarët zhvilluan vetëm një seancë, për shkak se tekniku Han nuk donte që t'i sforcontet. Fillimisht, 10 minuta vrapim, nën drejtimin e fizioterapistit e më pas ishte asistenti De Jong ai që u shpjegoi futbollistëve se si do të stërviteshin. Pas gjuajtjeve të topit në ecje, kontrollin e mori vetë trajneri Han, i cili e ndau skuadrën në dy grupe dhe urdhëroi pasime me tre takime brenda kuadratit. Trajneri më pas u kërkoi lojtarëve që të kishin vetëm dy takime me topin dhe më pas një takim të vetëm. Kjo, sipas fizioterapistit, shërbente jo vetëm për të parë aftësitë teknike të lojtarëve, por edhe formën e tyre fizike.