Stonestreet sot në Tiranë, takime me krerët e shtetit

Shefi i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR Jonathan Stonestreet së bashku me një grup të posaçëm ekspertësh ndodhet për një vizitë në Shqipëri. Stonestreet ka mbërritur ditën e djeshme në Tiranë dhe pritet që sot së bashku me ekipin e tij të ekspertëve të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit.
Në axhendën e Stonestreet është parashikuar një takim me presidentin e vendit Bamir Topi, me kryeministrin Sali Berisha, me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto dhe me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Stonestreet pritet të takohet edhe me drejtuesit e partive politike si LSI, PDIU, PBDNJ si dhe me përfaqësues të KQZ-së dhe drejtues të OJQ-ve. Gjithashtu pritet që shefi i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it të zhvillojë takime edhe me ambasadorët e shteteve kryesore në vendin tonë.
Qëllimi i vizitës së Stonestreet në Tiranë është që të bëhet i ditur raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit si dhe nisja e punës për zbatimin e rekomandimeve të këtij raporti. Vizita e Stonestreet realizohet vetëm pasi katër javë më parë u publikua raporti përfundimtar i zgjedhjeve lokale. Në raportin e OSBE/ODIHR-it thuhej se ndonëse zgjedhjet ishin transparente dhe konkurruese ato ishin tepër të polarizuara, me mosbesim mes partive politike në pushtet dhe opozitës.