E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategji të posaçme për fëmijët autikë

Kujdesi dhe trajtimi i fëmijëve të spektrit autik, një nismë e ndërmarrë prej katër vitesh nga Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” që drejtohet nga znj. Liri Berisha, do të konkretizohen në një strategji të posaçme.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka urdhëruar ngritjen e grupit të punës ndërsa strategjia e re do të funksionojë në fillim të vitit 2011.

Sipas ministrit Vasili, “ndërtimi i këtij dokumenti do të nisë në konsultim me të gjithë institucionet shtetërore dhe joshtetërore, publikun dhe mediat, por nuk do të mungojë edhe mbështetja e "Autism Speaks", një qendër partnere e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” në New York”.

Sipas tij, autizmi është një problem jo vetëm mjekësor, që kërkon të adresohet profesionalisht, kërkon zgjidhje afatshkurtër dhe afatgjatë dhe të mirëmenduara. "Duhet menduar në mënyrë urgjente se si do të ulet barra e rëndë e familjeve që kanë fëmijë me autizëm, për t’u mundësuar fëmijëve një të ardhme më të mirë edhe përmes rajonizimit të shërbimeve”, tha Vasili.

Duke vlerësuar fillimin e punës për hartimin e strategjisë, znj. Liri Berisha, tha se institucionalizimi i objektivave në ndihmë të fëmijëve autikë do të forcojë përballjen me këtë sëmundje. “Qendra "Autism Speaks" me qendër në Nju Jork do të vijojë të mbështesë fëmijët e spektrit autik”, tha Drejtori Shkencor për Europën, Simon Wallace. Sipas tij, kjo qendër me strategjinë e saj, ka orientuar dhe mbështetur misionin e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”.

Statistikat botërore tregojnë se sëmundja është tepër shqetësuese dhe rastet e saj janë në rritje, ku një në 99 fëmijë rezulton me autizëm. Në Shqipëri nuk ka ende statistika të veçanta, por me hartimin e strategjisë do të bëhet e mundur studimi për këtë qëllim.

Sipas mjekëve, autizmi infantil është një çrregullim ku fëmija nuk është në gjendje të krijojë asnjë lidhje emocionale me njerëzit e tjerë, ka dëmtime të shprehura të aftësive komunikuese dhe manifeston përgjigje bizarre ndaj aspekteve të ndryshme të ambientit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›