E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora e madhe e historisë



Nga Shaip Beqiri

Shqiptarët e Kosovës, në përpjekje për t`u shkëputur nga hallkat e ndryshkura të pushtetit okupues serb, sidomos gjatë gjithë vjetëve `90, përftuan një pushtet paralel që nisi të funksiononte me mjaft pengesa e vështirësi në disa sfera të caktuara të jetës dhe të veprimtarisë kombëtare. Me këtë mënyrë pushteti, që nuk ishte vetëm moral siç thuhej aq thjeshtë ndonjëherë, pasi pushteti gjithnjë më i egërsuar pushtues kishte mbyllur çdo shteg të mundësisë së gjëllimit të shqiptarëve jashtë kornizave kolonizuese që ishin vënë prej kohësh, u krijua një hapësirë për ecje të pandalshme drejt lirisë e pavarësisë. Në këtë kapërcyell kohe po ndodhte njëherësh edhe procesi i demokratizimit, i cili kishte përfshirë një pjesë shumë të madhe të botës që kishte mbetur gjatë nën thundrën e diktaturës komuniste.

Mirëpo ky ishte dimensioni të thuash luksoz i çështjes. Më se gjysma e shqiptarëve në tokat e veta nuk e kishin vetëm hallin e diktaturës, por në radhë të parë kishin kauzën e madhe të lirisë kombëtare. Natyrisht që ishte tepër e vështirë përballja me heqjen e dy zgjedhave të rënda përnjëherë. Ky ishte thelbi i problemit që s`duhet ngatërruar kurrë.

Pa vonuar shumë, erdhi koha kur u mbyll çdo shteg tjetër dhe u hap shtegu i madh dhe i vetëm i luftës së armatosur me pushtuesin tonë shekullor. Paralelizmi i pushtetit sfidues u këput në rrënjë bashkë me “paqen” e tretur me retë e tymit ngulfatës. Shpresa e kotë e përmasave të diplomacisë botërore dhe jo vetëm të saj se ajo ndoshta mund të shmangej dhe mund të gjendej një zgjidhje "paqësore" me armiqtë shekullorë, u shua përfundimisht.

Maniera e jetës paralele kishte hyrë thellë në mentalitetin e një mase të stërmadhe njerëzish tanë. Ky është thelbi i trajtimit tim në këtë rast. Kur krahina të tëra të Kosovës ishin organizuar ndër njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po formoheshin nga dita në ditë, kurse popullata e atyre viseve ishte dëbuar e masakruar me mizori të paparë, në kryeqytetin e Kosovës dhe në disa qytete më të mëdhenj të saj vazhdonte jeta paralele e natës dhe e ditës. Kjo ishte pamje jo më pak e llahtarshme se ato të plojës së luftës.

Në një atmosferë të tillë, kur njerëzit tanë në mërgim ngryseshin e gdhiheshin me sytë e veshët katër për të ditur se ç`po ndodhte në vendin e vet, zuri fill organizimi i tyre për të plotësuar radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kudo që paraqitej nevoja. Ata arritën në pikat ku digjej toka e tyre nga të gjitha pikat e rruzullit të botës, nga përtej Atlantiku dhe kudo ku kishte djem e vasha shqiptare. Ndërkaq, këta e nisën dhe e vazhduan luftën aty ku ishte fronti; mosqejfprishësve të Prishtinës, një ditë të bukur pranvere, pas më se një viti të fillimit të luftës së ashpër rrotull tyre(!), idilin ua prishi shiu dhe rrebeshi i armikut, të cilët, megjithatë, i detyruan të braktisnin qytetin e haresë së madhe dhe të pështynin këmbët para tytave serbe.

Këta mërgimtarë të rinj me zemër të madhe këtë gjest të lartë atdhetar nuk e bënin pse s`kishin çfarë për të bërë, pra ata s`e kishin hallin e kotësisë bezdisëse, por ata i thirrte me klithma zëri i vërtetë i dashurisë për lirinë e kombit dhe të atdheut. Thirrja ishte e qartë, por edhe përgjigjja e tyre me gatishmërinë për të qëndruar deri në flijim ishte edhe më e prerë. Jo pak prej tyre ranë në altarin e asaj lirie të gjakuar me shekuj, duke lënë pas vetes familjet e gjera e të ngushta; lanë fëmijët të rriten me mallin e tyre në dhe të huaj; dhanë jetën në lulen e rinisë së përjetshme.

E di që për veshët e mendjet e qejfbërësve të vjetër e të rinj gjithandej të gjitha këto që them tingëllojnë patetike. Them që janë pikësëpari tepër të vërteta; të kthjellëta si drita e diellit; them unë që patetikën e duroj më pak se të gjithë ata së bashku. Asnjëri prej këtyre heronjve të heshtur, të cilët u bashkuan me vëllezërit e vet mërgimtarë e qëndrestarë, nga vendi e prej kudo tjetër, nuk pyeti për çmimin që duhej të paguante për lirinë e atdheut. Ata mblodhën të gjitha fuqitë e veta të pashtershme shpirtërore e materiale për një qëllim të vetëm: të ndihmohet me gjithçka dhe të bëhet gjithsesi lufta çlirimtare e Kosovës dhe e të gjitha tokave të tjera të pushtuara shqiptare. Kur ra ora e madhe e historisë, mërgata shqiptare pa u hamendur i mbushi radhët e kolonave të luftëtarëve të lirisë me pjesëmarrjen e vet të vendosur, duke qenë e bindur se i takonte edhe asaj të bëhej dalëzotëse e vendit të vet, të cilin kudo që ishte ndodhur e kishte mbajtur gjithnjë thellë në vete.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›