E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia për veriun e Kosovës, Franca mbështet përfshirjen e Beogradit

Franca mbështet përfshirjen eventuale të Beogradit zyrtar në konsultimet mbi zbatimin e strategjisë për veriun e Kosovës të hartuar nga Zyra Ndërkombëtare Civile dhe Qeveria e Kosovës. Këtë e bëri të ditur ambasadori i Francës në Kosovë, Jean- François Fitou duke shtuar se bisedimet me të gjitha vendet e rajonit do të ndihmojnë Kosovën.

“Po, definitivisht. Cdo shtet që mund të ndihmojë është i mirëseardhur.
Pieter Feith natyrisht se është njeri i cili nga këndvështrimi
ndërkombëtar e di më mirë, por të jem më i qartë- Kosova ka të drejtën
të ndihmohet, për të zhvilluar një strategji për të gjithë ata që
jetojnë mbarë Kosovën. Shteti im mbështet të ashtuquajturën strategjinë
për veriun. Nëse shtetet dëshirojne ta ndihmojë Kosovën, ato do të jenë
të mirëseardhura. Cdo lloj bisedimesh, çdo lloj dialogu dhe çdo lloj i
marrëdhënieve të mira do të jenë ndihmuese” tha François Fitou.

Ambasadori francez nuk komentoi paralajmërimet e presidentit të Serbisë,
Boris Tadiç për rinisjen e negociatave për statusin e Kosovës dhe
destabilizimin e situatës në rast të jetësimit të strategjisë për
veriun, por tha  se shtetësia e Kosovës është një fakt. “Nuk do t’i komentoja deklaratat e shteteve të ndryshme. është fakt që
Kosova është Kosovë dhe se ne duam që ky shtet ta zhvillojë një
strategji jo vetëm për qytetarët e veriut, por për të gjithë qytetarët e
këtij shteti” tha François Fitou.

Qëndrimi i diplomatit francez vjen një ditë pas deklaratave të shefit të
Zyrës Ndërkombëtare Civile, Pieter Feith i cili nuk përjashtoi
mundësinë që në listën e pjësemarësve në bisedimet për zbatimin e
strategjisë për veriun të figurojë dhe Serbia.

Ndërkohë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, kanë kundërshtuar
përfshirjen e Serbisë në bisedimet për zbatimin e strategjisë për
shtrirjen e autoritetit në veri të Mitrovicës. Kjo strategji aktualisht
është në fazën finale të hartimit nga autoritetet vendore dhe
ndërkombëtare në Prishtinë.

Edona Peci 

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›