Lehtësimi i vizave, Kosova nis të mërkurën dialogun me BE

Ditën e mërkurë në 27 janar pritet fillimi i dialogut, ndërmjet një delegacioni ekspertësh të KE me autoritetet kosovare, për lehtësimin e regjimit të vizave të Kosovës me BE. Dialogu synon koordinimin e agjendës Prishtinë-Bruksel për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga KE për të realizuar liberalizimin e vizave,proces të cilin Qeveria e Kosovës e ka shpallur prioritet për vitin 2010.
"Besoj që këto janë ditët adekuate për të përcaktuar këtë. Ne kemi
shpallur vitin 2010 vit të përkushtimit tonë për plotësimin e këtyre
kritereve. Besojmë që viti 2011 do të jetë viti i marrjes së vendimit
pozitiv për Kosovën. Nuk duhet të harrojmë që ne kemi hyrë shumë vonë
për shkak të statusit tonë në këtë proces, por do ta përshpejtojmë
dinamikën dhe në kuptimin kohor të jemi më të shpejtë se sa vendet e
tjera që e kanë rrugëtuar këtë çështje", deklaroi Hajredin Kuçi,
zv/Kryeministër i Kosovës.
Zëvendëskyreministri Kuçi vlerësoi se përmbushja e kritereve teknike për
heqjen e regjimit të vizave me BE-në për Kosovën është e domosdoshme.
"Tani na mbetet neve që t’i kryejmë detyrat e shtëpisë, t’i kryejmë
obligimet tona dhe besoj që prapë nuk do të mungojë vullneti politik nga
të gjitha shtetet anëtare të Unionit Evropian që të jemi pjesë e këtij
procesi, ngase për ne është jetike rruga për integrimin evropian.
Besojmë që edhe Unioni Evropian e ka kuptuar se rajoni si i tërë duhet
të jetë në këtë rrugëtim", vijoi ai.
Përfaqësues të Parlamentit Evropian, janë shprehur skeptik duke thënë se
Kosova mund të mbetet i vetmi vend në Ballkan,që mund të mos përfshihet
në listën e bardhë të Shengenit për të paktën tre deri në pesë vitet e
ardhshme.
Edona Peci