E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia për veriun e Kosovës, Thaçi kërkon mbështetjen e ndërkombëtarëve

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar mbështetjen ndërkombëtare për realizimin e strategjisë për veriun e Kosovës. Këto kërkesa ai i parashtroi gjatë fjalimit të tij në takimin me përfaqësuesit e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, ku ka prezantuar arritjet e Kosovës gjatë periudhës pas pavarësisë. Thaçi, bëri të ditur se Qeveria e Kosovës së bashku me EULEX-in dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë në Kosovë, është e vendosur që të mundësojë sundimin e ligjit dhe përmirësimin e kushteve të jetës për qytetarët e pjesës së veriut.

“Kërkoj mbështetjen tuaj të plotë për këtë plan, mbështetjen e EULEX-it
dhe bashkësisë ndërkombëtare, për integritetin territorial të Shtetit të
Kosovës dhe përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve në veri.
Modeli i komunave të reja dhe i Shtërpcës do të funksionojë në Veri dhe
për Leposaviqin, Zveçanin, dhe Zubin Potokun; do të këtë institucione
legjitime dhe demokratike, shërbyes civilë dhe zhvillim, qeverisje të
mirë dhe luftë kundër dukurive negative”, tha Thaçi.

Sipas Kryeministrit Thaçi, plani për veriun e Kosovës, duhet të të
zbatohet pasi qytetarët serbë në këtë pjesë duhet të jenë në gjendje që
të zgjedhin me vullnet të lirë udhëheqësit e tyre, pa frikë dhe presione
nga Beogradi. Thaçi, gjatë fjalimit të tij ka folur edhe për njohjet e
shtetit të Kosovës, ku sipas tij, ky proces është duke ecur me një ritëm
të ngadaltë, si pasojë e vonesës së një vlerësimi nga Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Shkëlzen Osmani

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›