E Diel, 1 Nëntor 2026

“Stresi”, i akuzuar për vjedhje,15-vjeçarja e zhvirgjëruar herët

31/05/2011  Hiqet “gjobëvënia” për këngëtarin. Ekspertiza: Vajza e zhvirgjëruar. Bombaj pa faj

TIRANE- Gjykata ka ndryshuar akuzat për katër personat mes tyre dhe këngëtarit “Stresi” që mendohet se i kanë vënë një gjobë prej 20 mijë eurosh dhe më pas i kanë marrë makinën regjisorit Leonard Bombaj. Sakaq, Prokuroria ka ndërprerë veprimet hetimore për sa i përket kallëzimit penal të depozituar nga shtetasja 15-vjeçare me inicialet B.D, e cila denonconte regjisorin e saj Leonard Bombaj për përdhunim. Pretendimi i minorenes është cilësuar nga hetuesit si i pambështetur në prova dhe fakte. Kjo për shkak se dhe ekspertiza mjeko-ligjore e ka cilësuar 15-vjeçaren të zhvirgjëruar (defloruar e vjetër). Ndërkohë që veprimet hetimore të kryera në këtë drejtim nuk kanë zbuluar asnjë gjë. Në këto kushte, Prokuroria ka vendosur të pushojë kallëzimin e 15-vjeçares ndaj Leonard Bombaj. Vendimi për ndryshimin e akuzave është marrë në datën 6 maj nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ku mësohet se gjyqtari i çështjes gjatë përcaktimit të masës së sigurisë ka kualifikuar akuzën nga “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” në atë të “vjedhjes në bashkëpunim”. Interpretimi nga ana e gjykatës i veprimeve kriminale të shtetasve Arkimend Lusha “Stresi”, Rolado Kurtit, Elis Bashës dhe Sebastian Ukcamajt, ka sjellë dhe zbutjen e masës së arrestit që gjykata vendosi për katër të rinjtë. Në vendimin e shkallës së parë thuhet se vepra penale që ka kualifikuar Prokuroria nuk i atribuohet të dyshuarve, pasi lidhur me këtë çështje ata kanë konsumuar më tepër elementë të veprës penale të vjedhjes në bashkëpunim. Nisur nga këto kushte, Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës “arrest në burg” për katër të dyshuarit dhe caktimin e masës “detyrim paraqitje”. Në dukje ky kualifikim ka alarmuar prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët vendosën që çështjen ta ankimonin në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Gjyqtarët e kësaj të fundit pasi kanë studiuar dosjen kanë rrëzuar vendimin e shkallës së parë, duke lënë në fuqi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masave “arrest në burg” për katër të dyshuarit. Momentalisht vendimi i Apelit i është dërguar për ekzekutim Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, e cila prej pesë ditësh ende s’ka kryer ekzekutimin e katër urdhër-arresteve. Nuk dihen arsyet e kësaj vonese, por burime pranë Prokurorisë thonë se nga informacionet që disponojnë, katër të dyshuarit Arkimend Lusha që njihet me emrin artistik “Stresi”, Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastian Ukcamajt ndodhen brenda kufijve të vendit dhe se asnjëri prej tyre s’është larguar jashtë shtetit. Ndërkohë lidhur me këtë çështje dje në ambientet e Prokurorisë për Krime të Rënda ka qenë dhe kallëzuesi regjisori Leonard Bombaj. Ky i fundit nuk ka dhënë deklarime, por ka takuar hetuesit e çështjes ku kanë biseduar lidhur me daljen e informacioneve në median e shkruar. Pas qëndrimit disa minuta Bombaj është larguar nga prokuroria. Momentalisht organi i akuzës është në pritje të ekzekutimit të urdhër arresteve për katër të dyshuarit dhe se pritet që brenda muajit qershor dosja t’i referohet për shqyrtim gjyqësor gjykatës. Hetuesit thonë se ekzistojnë prova, si filmime nga kamerat e qendrës tregtare “ETC”, ku Bombaj ka tërhequr nga bankomati paratë, që më pas si pasojë e presionit psikologjik ia ka dhënë katër të dyshuarve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›