E Diel, 1 Nëntor 2026

Strukturat e PS përfshihen nga debatet për shpalljen e kandidatëve

05/04/2005  Shmangen përplasjet në zonat që janë cilësuar bastione të opozitës

Strukturat e Partisë Socialiste në rrethe janë përfshirë nga debate të ashpa për përcaktimin e kandidaturave për deputet. Debatet më të forta janë shënuar në Qarkun e Elbasanit, ku përplasja mes deputetit aktual Tauland Dedja dhe kandidatit Bukurosh Stafa kanë sjellë një reagim të bazës socialiste. Debate ka shënuar dhe Qarku i Vlorës, ku kryesia e PS-së në këtë rreth ka kundërshtuar vullnetin e një pjesë të konsiderueshme të anëtarësisë socialiste. Në Qarkun e Beratit, pas ndryshimeve që pësoji harta e zonave elektorale, zona e Flamur Rrogut ka sjellë debate mes deputetit aktual dhe kandidaturave të reja që gazojnë mbështetjen e bazës socialiste në këtë rreth. Gjithashtu, në Qarkun e Durrësit është shënuar përplasja mes kryetarit të PS-së në këtë degë, Gazmir Bizhga dhe këshilltarit Emin Barçi, i cili duket se do të kandidojë në zonën, e cila kryesohet nga Spartk Braho. Në Qarkun e Lezhës debate ka krijuar kandidatura e Frrok Çupit, i cili duket se nuk gëzon mbështetjen e socialistëve të bazës. Situata është më e qetë në strukturat e PS-së në Tiranë, ku prezantimi i kandidatëve për deputetë nga ana e kreut të kësaj partie ka shmangur konfliket mes bazës dhe kryesive. Gjithashtu dhe në qarqe, të cilat cilësohen si bastione të Partisë Demokratike, si në Shkodër, Korçë dhe kryesisht në veri të vendit, situata është e qetë. Kjo sepse nuk ka shumë konkurrent për kandidatin që do të paraqesë PS për zgjedhjet parlamentare. Të gjitha konfliktet e hapura për përcaktimin e kandidatëve priten të sheshohen pas vendimit të Kryesisë së PS-së, KPD-së dhe Kongresit, të cilët do të nxjerin dhe 100 emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti

Dedja paraqet zyrtarisht firmat

Deputeti aktual i Partisë Socialiste në rrethin e Elbasanit, Tauland Dedja, mund të dalë kandidaturë e pavarur, në rast se strukturat socialiste nuk do ta kandidojnë si deputet. Pas debateve të ashpra mes kryesisë së PS-së në degën e Elbasanit dhe deputetit Dedja, ka ardhur reagimi i 6020 anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj partie, të cilët, me anë të një peticioni kërkojnë rikandidimin e deputetit aktual. Peticioni i është dërguar kreut të PS-së, Fatos Nano, sekretarit të Përgjithshëm, Gramoz Ruçi dhe sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Valentina Leskaj. "Besoj se vullneti i strukturave socialiste do të përputhet me vullnetin e këtyre qytetarëve. Por, gjithashtu, siguroj se do të jem pranë njerëzve në Elbasan", thekson Dedja. Lista e kandidatëve për deputetë në rrethin e Elbasanit, e cila është hartuar nga kryesia e degës nuk ka përfshirë emrin e deputetit Dedja, duke krijuar kështu dhe përçarje mes vullnetit të anëtarësisë dhe drejtuesve të partisë në këtë rreth. Dedja ka akuzuar për prapaskena për mënjanimin e tij nga kandidimi. Tashmë i takon kryesisë qendrore të PS-së për të vendosur nëse Dedja do të kandidojë nën siglën e kësaj partie, apo në rast të kundërt do të kemi një kandidat të pavarur, i cili aktualisht gëzon mbi 6 000 vota nga anëtarësia socialiste e kësaj zone.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›