E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonasit rishikojnë Enciklopedinë

 

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë është tërhequr nga enciklopedia. Ka qenë vetë kryetari i kësaj Akademie, i cili ka pranuar se ky botim fyente shqiptarët dhe historinë e tyre. Mësohet se dje është zhvilluar një takim i redaksisë, e cila punoi për hartimin e historisë. "Në takimin e sotëm të redaksisë u diskutuan reagimet e partive politike, shoqatave qeveritare dhe individëve lidhur me publikimin e Enciklopedisë maqedonase. Informohet opinioni se do të bëhen disa korrigjime të caktuara, në disa njësi dhe do të vazhdojë puna për botimin e dytë të ndryshuar dhe të plotësuar", thuhet në komunikatën e redaksisë së Enciklopedisë. Kryetari i Akademisë, Gjorgje Stardellov, ka pranuar se shqiptarët janë fyer me këtë enciklopedi. "Bëhet fjalë për një ofendim të caktuar ndaj bashkësisë etnike shqiptare në Maqedoni dhe besoj se kjo njësi do të korrigjohet. Besoj se njësitë kontestuese nuk do të hiqen tërësisht nga Enciklopedia, por do të korrigjohen ose eliminohen disa të dhëna të panevojshme, që aq shumë ndoshta me të drejtë i rrëqeth qytetarët tanë shqiptarë", ka deklaruar Stardellov. Enciklopedia e parë kombëtare u promovua një javë më parë në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, botuar me financimin e qeverisë, pas punës disavjeçare të Qendrës Leksikografike dhe të rreth 260 bashkëpunëtorëve nën udhëheqjen e redaktorit kryesor, akademikut Blazhe Ristovski. Kjo enciklopedi dilte me teza, të cilat cenonin rëndë shqiptarët dhe historinë e tyre. Në faqet e këtij botimi thuhej se shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre. "Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë Perëndimore. Shqiptarët, veç të tjerash, njihen edhe si njerëz malesh...". Gjithashtu janë përvetësuar figura historike si Nënë Tereza e Skënderbeu, origjina e të cilëve del sllave.
Këto pretendime të pseudoakademikëve maqedonas, por që duke qenë një botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, merrte një karakter zyrtar, ka shkaktuar reagime të ashpra në mesin e qarqeve të ndryshme shqiptare në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë. Akademikët, studiuesit dhe historianët shqiptarë, jo vetëm e dënuan veprën si të turpshme, duke e konsideruar atë një provokacion politik, por kanë kërkuar edhe tërheqjen e menjëhershme të saj nga qarkullimi. Pavarësisht këtyre reagimeve, të cilat shkuan deri në tubime përpara godinës së Akademisë maqedonase, autorët e saj nuk dëgjonin të tërhiqeshin. Madje dy ditë më parë ishte redaktori i saj, Ristovski, i cili pohoi se nuk do ta tërhiqnin këtë botim dhe se çdo tezë ishte bazuar në fakte. Ai gjithashtu u shpreh për mediat se ishte i hapur për vërejtje të bazuara në fakte. Por menjëherë pas këtyre deklaratave, vjen një sinjal nga Brukseli. Kësaj here janë organizmat e Bashkimit Evropian, që kërkojnë sqarime të mëtejshme mbi këtë vepër. Mësohet se janë kërkuar informacione shtesë për këtë çështje, e cila ka prishur ekuilibrat e bashkëjetesës mes etnive në Maqedoni. Dhe duket se ka qenë pikërisht ky reagim i Brukselit, që ka detyruar akademikët maqedonas të rimblidhen për të shqyrtuar çështjen e kësaj enciklopedie, e cila ka vetëm një javë jetë. Ata pranuan se kanë fyer historinë e shqiptarëve dhe se do të rishikojnë kapituj të veçantë të saj.

Ambasada britanike: Të hiqen pjesë në tekst
Ambasada britanike në Maqedoni ka reaguar sërish për Enciklopedinë maqedonase. Sipas saj, një pjesë e tekstit në këtë enciklopedi duhet hequr. Pjesa që duhet hequr është pikërisht ku thuhet se njësitë speciale të Britanisë së Madhe bashkë me forcat amerikane kanë stërvitur ushtarët e UÇK-së gjatë luftës së vitit 2001, madje kanë marrë pjesë bashkë me forcat shqiptare që luftonin kundër trupave qeveritare maqedonase. Këtë reagim ambasada britanike e ka bërë me anë të një letre dërguar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

Thaçi: Mendësi e shekullit të kaluar
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka konsideruar Enciklopedinë maqedonase të ngjashme me një enciklopedi të botuar nga Akademia serbe e Arteve dhe Shkencës. Sipas kryeministrit Thaçi, faktet e paraqitura në Enciklopedi janë tipike të një tendence në Maqedoni, që ka si synim acarimin e tensioneve ndëretnike. "Ne nuk duhet ta përqendrojmë vëmendjen tonë në mendjet e njerëzve që kanë një mentalitet të shekullit të kaluar, që nuk është i ndryshëm nga ai serb", theksoi Thaçi.

Ceka: Arkeologjia flet ndryshe
Arkeologu Neritan Ceka i konsideron tërësisht të pabazuara, të njëanshme dhe jashtë kohës sonë tezat e paraqitura në Enciklopedinë maqedonase. Ceka thotë se prania e shqiptarëve në këto troje është vërtetuar qysh në kohën e ilirëve, ndërsa kultura arbërore është e pranishme në trojet e Maqedonisë së sotme qysh në shek. IX-XI. Ai thotë se akademikët maqedonas gabojnë kur identifikojnë etninë me fenë. Sipas tij, ata e mbështesin tezën e ardhjes së shqiptarëve në Maqedoni në shek. XV me shfaqjen e fesë islame, në një kohë kur dihet se shqiptarët e kësaj zone, përpara konvertimit në fenë myslimane ishin ortodoksë.

Enciklopedia, Berisha takon Ivanovin
"Askush nuk mund të ndërtojë identitet bazuar mbi falsifikim të historisë". Kështu është shprehur për përmbajtjen e Enciklopedisë maqedonase, kryeministri Sali Berisha. Deklarata e tij erdhi pas takimit me presidentin e Maqedonisë, Ivanov, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me presidentin maqedonas Ivanov, ku ka përfituar nga rasti për të shprehur qëndrimin e tij në lidhje me Enciklopedinë e botuar një javë më parë në Shkup. Kryeministri Berisha theksoi se publikimi së fundmi nga ana e Akademisë maqedonase i një Enciklopedie, e cila falsifikon historinë, është një qëndrim absurd dhe i papranueshëm. Lidhur me këtë çështje, presidenti Ivanov tha se, sapo të kthehej në Shkup, do përpiqet të ndikojë në këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›