E Diel, 1 Nëntor 2026

Stuart Xhons: “Kriza, fajin e kanë vetë shqiptarët”

Autori i Lajmit: Redaksia

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington zhvilloi dje një konferencë mbi Ballkanin dhe sfidat e tij në rrugën e integrimit evropian. Pjesëmarrësit në konferencë theksuan përparimin e bërë deri tani nga vendet e rajonit, por vunë në pah gjithashtu edhe sfidat me të cilat përballen ato, mes tyre edhe Shqipëria dhe Kosova. Duke folur për mosmarrëveshjet e fundit politike në Shqipëri, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Stuart Xhons, tha se ato janë të dëmshme për integrimin evropian të vendit. “Tani po shohim mosmarrëveshje serioze politike në Shqipëri. Greva e urisë, bojkoti, mendoj se janë shumë të dëmshme për perspektivën e Shqipërisë në integrimin evropian. Por faji nuk mund ti vihet askujt përveç se vetë shqiptarëve”. Janush Bugajski, drejtor i Projektit për Demokracitë e Reja Evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, po ashtu thotë se gjendja në Shqipëri është serioze kur bëhet fjalë për polarizim dhe kur Parlamenti nuk arrin të funksionojë. “Ky është një ngërç që nuk lejon miratimin e ligjeve të rëndësishme, reformave të rëndësishme dhe ti tregojë Bashkimit Evropian se vendi është i bashkuar të paktën për sa u përket parimeve bazë”. Protestat, thotë zoti Bugajski, janë të paparashikueshme dhe nuk dihet rezultati i tyre. Ajo që mund të jetë më e rrezikshme, thotë ai, është paralizimi i mundësisë për qeverisje. Por nëse palët në Shqipëri nuk arrijnë ti zgjidhin vetë mosmarrëveshjet e tyre, çfarë roli mund të luajë komuniteti ndërkombëtar? “Zgjidhja duhet të vijë nga shqiptarët, por mund të ndërmjetësohet nga jashtë. Dhe këtu mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv”.

Ky lajm është publikuar: 12/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›