E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët, Tafaj: Kredi për të mbuluar shpenzimet e shkollës

SHKRUAN: Jonida Tashi 18-10-2011 14:26

Ministri i Arsimit: “Kredia studentore është mekanizmi që do t’i japë mundësi çdo maturanti që ka përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, të vazhdojë arsimin e lartë pa qenë i varur nga të ardhurat e familjes”

Jonida Tashi

Të gjithë të rinjve do t’u jepet mundësia për të ndjekur studimet, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike. Kështu ka deklaruar ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, lidhur me përfitimet që do të kenë studentët nga skema e re e financimit të arsimit të lartë. Duke vënë në dukje rëndësinë e reformës financiare, ministri Tafaj tha se kjo reformë është në interes të studentëve shqiptarë. “Nuk plotësojnë në asnjë rast uljen e investimit publik për arsimin e lartë. Kredia studentore është mekanizmi që t’i japë mundësi çdo maturanti që ka përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, të vazhdojë arsimin e lartë pa qenë i varur nga të ardhurat e familjes. Kjo kredi do të jetë përgjatë gjithë kohës së studimeve”, - deklaroi ministri Tafaj. Ai ka sqaruar se shlyerja e kredisë që do të përfitojnë studentët për të mbuluar shpenzimet e shkollës do të mund të bëhet pas punësimit të tyre. Ndër të tjera, kreu i Arsimit ripërsëriti se reforma synon rritjen e dixhitalizimit të universiteteve dhe të rritjes së financimit të tyre. “Jo vetëm universitetet publike, por edhe ato private do të përfitojnë fonde. Reforma synon rritjen e fondeve për ekselencën e universiteteve. Së afërmi do të ngrihen të gjitha njësitë për zbatimin e reformës”, - deklaroi ministri. Sipas skemës së re të financimit, çdo student i regjistruar në universitetet publike apo private do ketë të drejtën të marrë një kredi të tillë, me vlerë maksimale të përcaktuar. Interesat e kësaj kredie do të subvencionohen nga qeveria, ndërkohë të rinjtë që vijnë nga familjet në nevojë do të jenë më të favorizuarit në skemën e kredidhënies. Kështu është parashikuar që kredia studentore të fillojë të shlyhet 2-vjet pas përfundimit të studimeve dhe punësimit. Ky instrument ndihmës në sistem siguron familjet shqiptare se asnjë nga fëmijët e tyre që ka dëshirë dhe aftësi të studiojë, nuk do të ngelet pa shkollim për arsye të kufizimeve ekonomike familjare. Por në tërësi, reforma synon të financojë në mënyrë të barabartë si universitetin publik ashtu dhe atë privat, por sasinë më të madhe të fondeve do e përfitojnë universitetet që kanë më shumë studentë. Të pranishëm në konferencën e djeshme për reformën financiare ishin edhe përfaqësues të Bankës Botërore në Shqipëri, ekspertë dhe konsulentë të huaj të reformës, drejtues universitetesh, pedagogë etj. Ekspertët e huaj si dhe përfaqësues të Bankës Botërore e vlerësuan si një reformë të vështirë në zbatim, por jo të pamundur. Lidhur me zbatimin e kësaj reforme, aktualisht MASH po pret komentet e fundit nga aktorët e interesit rreth draftit të financimit. Pas këtij procesi, dokumenti i rishikuar, së bashku me afatin kohor për zbatimin e tij, do të parashtrohet në Këshillin e Ministrave për miratimin final, dhe në qoftë se miratohet, do të shndërrohet në politikë qeveritare. Në mënyrë që politikat të zbatohen, ministri i Arsimit do të ngrejë një “task forcë” përgjegjëse për të siguruar që të gjitha veprimet në dokumentin final janë zbatuar sipas afateve kohore të rëna dakord nga Këshilli i Ministrave. Gjithsesi, ajo që dihet tashmë është se zbatimi i skemës së re do të shtrihet përgjatë disa viteve, sepse shumë nga ndryshimet kërkojnë kohë, veçanërisht ato që nevojiten në menaxhimin e universiteteve, për të cilat fondet për zhvillimin strategjik për menaxhimin do të sigurojnë fonde për asistim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›