Studentët diskutojnë menaxhimin e Antigonesë
Në kuadrin e 18 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës, Zyra për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë, në bashkëpunim me Degën e Turizmit të Departamentit Ekonomik pranë Fakultetit të Shkencave Shoqërore në universitetin “Eqrem çabej” të Gjirokastrës dhe Drejtorinë Rajonale të Monumenteve në Gjirokastër, kanë organizuar një sërë veprimtarish të përbashkëta në mjediset e hapura të Parkut Arkeologjik në datat 17–18 prill. Në këtë veprimtari, që u zhvillua nën logon “Menaxherët e rinj të Antigonesë”, morën pjesë studentë, pedagogë, ekspertë të monumenteve, arkeologë, pjesëtarë të komunitetit të Komunës Antigone dhe qytetit të Gjirokastrës.
Qëllimi i organizimit të kësaj veprimtarie të përbashkët ishte sensibilizimi i opinionit publik për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kombëtare të trashëgimisë kulturore shqiptare. Konferencës “Menaxherët e rinj të Antigonesë” në mjediset e hapura të Antigonesë i parapriu mbërritja e një karvani me kuaj, me të cilin një grup vizitorësh gazetarë vendas dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare udhëtuan nga qyteti i Gjirokastrës në Antigone, për të marrë pjesë në punimet e kësaj konference. Veprimtari në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve janë zhvilluar edhe nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve, Zyra për Administrimin e Gjirokastrës, shoqatat e artizanëve, Komuna e Antigonesë, muzeu i Bashkisë së Gjirokastrës etj.
#