E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Durrësit, studim për krizën ekonomike

Studentët e Universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës kanë kryer një studim në lidhje me krizën ekonomike ndërkombëtare dhe ndikimin e saj në vendin tonë. Studentët e degës Ekonomi e Menaxhim turizëm në bashkëpunim me stafin pedagogjik të universitetit të Durrësit e kanë publikuar këtë studim në një konferencë me temë  Turizmi shqiptar nën lupën e krizës ekonomike ndërkombëtare. Gjatë konferencës u diskutuan tema të ndryshme në këtë fushë, e cila tashmë është vënë nën trysninë e krizës ndërkombëtare. Në bazë të një projekti të përbashkët, i cili zgjati 40 ditë studentët  diskutuan mbi tema të ndryshme si, a ka mbërritur kriza ekonomike ndërkombëtare në Shqipëri, si paraqitet produkti turistik shqiptar përballë kësaj krize, cilat janë urat lidhëse të krizës ekonomike ndërkombëtare me turizmin shqiptar, etj. Në këtë diskutim u përfshinë mbi 100 operatorë turistik të cilët e zhvillojnë aktivitetin e tyre në qytetin e Durrësit. Infrastruktura, Çmimet, linjat ajrore drejt Shqipërisë, anëtarësimi në NATO si dhe zgjedhjet politike të qershorit priten të japin efekte pozitive, ose negative në ecurinë e turizmit. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Administrimit Bardhyl Ceku ka përgëzuar studentët që kanë punuar në këtë studim dhe e ka cilësuar këtë ndërmarrje te tyre si një hap të parë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre. Pedagogu që ka punuar me studentët në këtë projekt është Ervin Myftaraj, i cili jep leksionet e lëndës së Marketingut për studentët e vitit të II të degës Administrim Biznes. Ai e ka cilësuar iniciativën e studentëve shumë interesante. Në lidhje me temat e tjera që janë studiuar nga studentët e vitit të II të Fakultetit të Ekonomisë dhe Administrimit është bërë e ditur se janë marrë të dhënat e tre viteve të fundit në sektorin e turizmit dhe më pas është bërë krahasimi i tyre me të dhënat e muajve të parë të këtij viti. Studentët kanë bërë edhe parashikimin e të dhënave në lidhje me sezonin turistik të këtij viti, i cili në përgjithësi vlerësohet se do të jetë në nivelet e vitit të kaluar. Konferenca i ndau tipet e turizmit që frekuentojnë Shqipërinë në katër të tilla. Bëhet fjalë për turistët e huaj, emigrantët, turistët etnikë si dhe ata vendas. Një rëndësi e veçantë iu dha në konferencë imazhit dhe markës turistike shqiptare. Duke u nisur nga anketimi i 100 operatorëve turistikË në qytetitn e Durrësit, studentët e Aleksandër Moisut, arritën në konkluzion se kriza ekonomike ndërkombëtare nuk e ka prekur Shqipërinë, kryesisht fushën e turizmit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›