Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale: Nuk ikim në Kamëz
Tiranë, 27 janar 23:32 NOA - Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale u mblodhën sot në një tubim proteste para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke protestuar për faktin se në mënyrë paradoksale, u është kërkuar që të shkojnë për të ndjekur studimet në Kamëz(!).
Duke protestuar me pankarta, bilbila dhe megafon, ata kishin si kusht kryesor “për të na dhënë përgjigje se çfarë do të bëhet me godinën ekzistuese të Fakultetit të Shkencave Sociale”.
Ndërsa shtruan pyetjet: “Ku janë ekspertët, pse nuk po nuk po dalin në pah?”.
Studentët paralajmëruan në protestë se “ne do të refuzojmë, së pari të paguajmë taksën prej 30.000 lekësh të rinj, për të vënë si kusht kryesor rregullimin e ndërtesës aktuale”.
Kjo pasi siç pohuan studentët, “ne bëjmë mësim si shkollë nate, në orarin 17e 00 me 21e 00”.
Eljan Tanini, anëtar i Këshillit të Fakultetit, tha për agjencinë e lajmeve NOA, se “i kemi dërguar Kryeministrit, Presidentit, dhe Ministrit të Arsimit e Shkencës, një peticion të firmosur nga 40 pedagogë, dhe rreth 1000 e ca
studentë. Edhe këtu ku vazhdojmë të bëjmë aktualisht mësim, pra në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, rrezikojmë të na nxjerrin jashtë, duke na dhënë si zgjidhje Universitetin Bujqësor të Kamzës: gjë që për ne është e pa pranueshme”.
Këtu shtrohet një tjetër pyetje: Çfarë do të bëhet me ne?”.
Ndërsa kërkohet të sqarohet: “kjo protestë studentore, nuk lejohet të politizohet, as majtas e djathtas, dhe as nga ndonjë organizatë gjoja rinore por edhe politike”.
Thirrjet që lëshuan studentët me parullat e tyre, ishin: Nuk do t’i japim shtetit atë që i takon shtetit...Nuk jemi fatosa, jemi studentë...Nuk duam shkollë nate...S'ka pagesë pa kushte...Nuk ju japim më asnjë lek, etj.”.
e.l/NOA