Zgjedhjet në PS, 82 177 anëtarë me të drejtë vote
Komisioni i Zgjedhjeve në PS ka miratuar listën me 82 177 zgjedhës, që janë regjistruar deri më 30 qershor
Zgjedhësit do të votojnë vetëm po të paraqiten me kartën e anëtarësisë dhe me një mjet identifikimi
Miratohen listat e zgjedhësve që do të votojnë më 26 shtator për kryetar të Partisë Socialiste. Janë plot 82 177 anëtarë të Partisë Socialiste, të cilët do të ftohen të shtunën tjetër që të marrin pjesë në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj force për një mandat katërvjeçar.
Komisioni i Zgjedhjeve në Partinë Socialiste, i drejtuar nga Genci Gjonçaj, ka miratuar të enjten listën e plotë dhe përfundimtare të anëtarësisë që ka të drejtë vote për zgjedhjet e ardhshme për kreun e ri të kësaj force.
Lista
Në zbatim të Kodit të Zgjedhjeve, Komisioni i Zgjedhjeve në PS (KZP), në mbledhjen e tij të fundit mori në shqyrtim të gjitha listat e anëtarësisë të vëna në dispozicion nga degët lokale për të nxjerrë më pas dhe numrin e plotë të zgjedhësve që kanë të drejtë vote.
Kështu, KZP-ja, pasi shqyrtoi një për një të gjithë korrespondencën e kryer me degët lokale të partisë, duke patur parasysh detyrimin e kodit që përcakton se lista e zgjedhësve përfshin anëtarët e partisë së regjistruar si të tillë, sipas rastit, deri 30 qershor, gjeti në përputhje me të dhe miratoi si zgjedhës që mund të votojnë më 26 shtator 82 177 individë, që dhe bëjnë normalisht jetë partie.
Lista e miratuar është përgatitur mbi bazën e çdo vendvotimi dhe ajo përmban emrin, atësinë, mbiemrin dhe datëlindjen e anëtarit të PS-së, emërtimin e organizatës socialiste ku bën pjesë, numrin e dokumentit të anëtarësisë sipas regjistrit qendror të partisë.
Gjithashtu, në listë është lënë dhe një kolonë e veçantë, në të cilën do të vendoset nënshkrimi i votuesit.
Pavarësisht angazhimit të këtij komisioni, duket se edhe në këtë drejtim ka vonesa, pasi lista është afishuar në vendvotimet e shpallura një javë para datës së zgjedhjeve dhe jo 15 ditë para, siç edhe e përcakton Kodi Zgjedhor.
Tani, pas afishimit, anëtarët e PS-së dhe kandidatët konkurrues kanë të drejtë të kërkojnë në KZP korrigjimin e gabimeve, shtimin ose heqjen e emrave nga lista e zgjedhësve dhe ky komision, brenda 24 orëve duhet të marrë vendimin për korrigjimin përkatës.
Lista e zgjedhësve shpallet në vendvotimet përkatëse jo më vonë se 7 ditë para ditës së zgjedhjeve. Vlen të kujtojmë këtu se PS-ja ka numrin më të madh të anëtarësisë në Shqipëri, numër ky që e kalon me gati dhjetë mijë edhe numrin e votuesve të LSI-së në zgjedhjet e fundit parlamentare (71 mijë).
Votimi
Vendvotimet, si rregull ngrihen mbi bazë bashkie/komune, përjashto rastin kur për pamundësi teknike, nga KZP-ja vendoset ndryshe.
Në një vendvotim, si rregull, nuk duhet të ketë më shumë se 1000 zgjedhës, ndërsa ambienti i votimit caktohet nga KZPRR-ja, me propozim të kryesisë (kryetarit) së PS-së në bashki/komunë.
Vendvotimet caktohen në mjediset e PS-së dhe nëse nuk është e mundur, caktohen në një ambient që garanton votimin pa pengesa të zgjedhësve dhe vëzhgimin normal të procesit të votimit.
Në hyrje të çdo vendvotimi vendosen flamuri dhe stema e PSSH-së, si dhe një tabelë treguese, e cila përmban të dhëna për identifikimin e vendvotimit. Jo më vonë se 3 ditë para datës së votimit, KZP-ja dërgon në çdo KZPRR dokumentacionin dhe materialin zgjedhor për votimin, të cilët jo më vonë se 24 orë para votimit i dërgojnë në çdo KZPB/K e KVV.
Komisioni votimit paraqitet në vendvotim një orë përpara fillimit të procesit dhe përgatit ambientin për pritjen e votuesve. Nëse emri figuron në listë, KZPB/K apo KVV-ja i kërkon zgjedhësit të paraqesë kartën e anëtarësisë të shoqëruar me një dokument identifikimi.
KZPB/K apo KVV-ja bën këqyrjen e këtyre dokumenteve dhe, nëse ato përputhen me të dhënat e listës së zgjedhësve dhe pamjen e zgjedhësit, i jep atij një fletë votimi për kryetar të PSSH-së. Fleta e votimit është e vulosur paraprakisht nga KZPRR-ja dhe nënshkruhet në momentin e dorëzimit zgjedhësit nga kryetari e nënkryetari i komisionit.
PS: Mbrojtja e votës, mision legjitim i opozitës
TIRANË - Një shfaqje hipokrite të degradimit të tejskajshëm e ka quajtur deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, betimin dhe fillimin e punës së anëtarëve të Këshillit të Ri të Ministrave.
Në konferencën e djeshme për shtyp, sekretari organizativ, Klosi, ka ripërsëritur qëndrimin e Partisë Socialiste për të mos marrë pjesë në Kuvend pa u plotësuar kushtet e vendosura nga selia rozë për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
"Dita e djeshme për qytetarët shqiptarë qe një ditë tjetër e shpresës së vrarë nga Sali Berisha dhe shpura e tij që, pasi plaçkitën katër vjet Shqipërinë, grabitën në mënyrë të paturpshme dhe zgjedhjet."- tha Klosi.
Sipas tij, Kryeministri Berisha nuk do të mund të qeverisë në mënyrë demokratike vendin duke pasur në qeveri ministra të kërkuar nga drejtësia. Ndër të tjera, ai ritheksoi vendimin e Partisë Socialiste për të mos hyrë në Parlamentin e rezultateve të deformuara dhe kutive të mbyllura.
"Ne nuk kërkojmë të marrim pushtetin në tavolinë, por do të kërkojmë zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit. Nuk mund të ketë mision më legjitim për një opozitë demokratike sesa mbrojtja e votës, ligjit e Kushtetutës," - tha deputeti i PS-së.
Në vazhdim, ai akuzoi Sali Berishën si të paaftë dhe të painteresuar për t'u dhënë zgjidhje halleve të qytetarëve, duke shtuar se nuk qeveris dot ndryshe pavarësisht "patericave" që i ofroi Ilir Meta.
"Partia Socialiste është vendosur në rrugën e saj legjitime për të mos lejuar që ligji të kthehet në një letër pa vlerë, që zgjedhjet të kthehen në një proces të korruptuar, që tufat e kriminelëve të lejohen të dalin nga burgjet për fushatë elektorale, që drejtuesit e shtetit të përdorin postet dhe fondet publike për fushatë elektorale; që njerëzit të largohen nga puna pse nuk rreshtohen me pushtetin," - shtoi më tej Klosi. Në përfundim, në emër të Parisë Socialiste, ai u premton qytetarëve shqiptarë mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.