Studentët, solidarizim me forcat e rendit

Demostrata e 21 janarit dhe ngjarjet e dhunshme që pasuan duke shkaktuar humbjen e jetëve të tre demostruesve, ka bërë që qindra studentë nga Tirana të zhvillojnë një takim në repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë (FNSH), efektivët e të cilit morën pjesë në mbrojtjen e godinës së kryeministrisë dhe Parlamentit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Për këtë akt, studentët shprehën mirënjohjen dhe solidarizimin me aktin e forcave të rendit që i rezistuan sulmeve anarkiste ndaj institucioneve të vendit, në demonstratën e 21 janarit.
Të rinj dhe të reja nga Universiteti i Tiranës u takuan dhe u dhuruan lule efektivave që ishin në vijën e parë të mbrojtjes së institucioneve dhe u shprehën atyre falenderimet në emër të gjithë studentëve të Tiranës.