E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton kompetencat territoriale të gjykatave



Tiranë - Presidenti Bamir Topi dekretoi kompetencat territoriale të gjykatave në vend. Pas këtij dekreti, i cili hyn në fuqi në muajin shtator të këtij vitit, ministrit të Drejtësisë i hapet drita jeshile për të bërë përllogaritjen e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve. Kjo mënyrë ndiqet çdo vit dhe ky dekret është i rëndësishëm jo vetëm për banorët që mësojnë se në cilën gjykatë duhet të paraqiten për shërbime të ndryshme, por edhe për gjyqtarët. Këta të fundit, pas këtij dekreti, mësojnë se sa do të jetë dhe numri i tyre sipas gjykatave.

Po shkonte të gjuante peshk, i plas në duar eksplozivi

Shkodër – Po shkonte për të kapur peshk dhe rrugës ka parë një lëndë plasëse, që teksa po e vëzhgonte, i ka plasur në dorë. Sipas të dhënave policore, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Nënplep në Dukagjin të Shkodrës, ku rezulton si i vetëplagosur me lëndë plasëse eksploziv 45-vjeçari Mark Koçeku, banues në qytetin e Shkodrës. Në lidhje me ngjarjen u kryen veprimet hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, pyetja e të dëmtuarit, i cili ka treguar se si ka gjetur në shkurre një lëndë plasëse që i është dukur si dinamit, të cilën e ka marrë në dorë dhe ndërsa e shihte se çfarë lënde eksplozive ishte, i ka shpërthyer duke i shkaktuar plagë në njërën dorë dhe këputje të dorës tjetër. Pas dëmtimit, Mark Koçeku është dërguar në spitalin rajonal, ku aktualisht ndodhet i shtruar në repartin e reanimacionit jashtë rrezikut për jetën.

Fshehu drogë poshtë mullarit në oborrin e shtëpisë, kapet në flagrancë nga policia

Shkodër – Forcat e policisë së Shkodrës kanë arrestuar në flagrancë 38-vjeçarin Gëzim Bardhi, lindur dhe banues në fshatin Muriqan të këtij qyteti, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, poshtë një mullari me kashtë në oborr, i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pako e mbështjellë me natriban, me peshe 323 gramë, e cila dyshohet të jetë lëndë narkotike Cannabis sattiva”. Nga ana e policisë janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore e procedurale dhe materialet në ngarkim të Gëzim Bardhit i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Shkodrës, për veprën penale të “mbajtjes dhe shitjes së narkotikeve”.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›