E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi, maturantët në anglisht nivel më të ulët se mesatarja

Përvetësimi i gjuhës angleze nga maturantët e shkollave të mesme në Shqipëri, vlerësohet nën nivelin mesatar.

 Këto janë të dhënat  e studimit të kryer ditët e fundit në 36 shkolla dhe për 1070 nxënës në të gjithë vendin. Ka qenë Agjencia Kombëtare e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), e cila ka monitoruar rezultatet për arritjet e nxënësve në lëndën e gjuhës angleze. Nga të dhënat vërehet se, arritja mesatare në nivel kombëtar e nxënësve në këtë gjuhë është 67.82 pikë, nga 75.42 pikë që ishte përcaktuar niveli mesatar. Sipas specialistëve të AVA-s, të dhënat e këtij studimi tregojnë se vetëm 4.4% e nxënësve janë me rezultate shumë të mira, ndërsa 5.3% e tyre konsiderohen nxënës shumë të dobët. "Rreth 20.3% e nxënësve konsiderohen me arritje mesatare, ndërsa një pjesë e madhe prej 38.1% janë nxënës nën nivelin mesatar", tregon studimi. Studimi i AVA-s veçon se në kategorinë e nxënësve të niveleve 0 dhe 1, ka shumë më tepër meshkuj sesa femra dhe në kategorinë e nxënësve të niveleve 4 dhe 5, ka më shumë femra sesa meshkuj. Gjithashtu, nxënësit e shkollave në qytet kanë arritje më të larta, se nxënësit e shkollave në fshat. Disa javë më parë Ministria e Arsimit bëri me dije se, rreth 30% e maturantëve kanë preferuar anglishten si një prej lëndëve me zgjedhje që do të japin provim, pasi kjo lëndë ka koeficientin më të lartë në Maturën Shtetërore. Që prej dy vitesh ministria e ka pasur prioritet anglishten, në kuadër të nismës "Shqipëria anglofone". Sipas këtij dikasteri, sa më mirë të përvetësohet kjo gjuhë aq më shumë shqiptarët do t'i përshtaten tregut të punës. Por rezultatet e nxënësve tregojnë se ata nuk kanë të njëjtën optikë lidhur me këtë gjuhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›