E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studimi ndërkombëtar, nëntoka shqiptare ruan 5 miliardë fuçi nafte

Një studim i kryer nga ekspertë ndërkombëtarë vlerëson se Shqipëria ka rreth 5 miliardë fuçi naftë në nëntokën e vet, por vetëm pak për qind prej saj mund të arrihet të nxirret në sipërfaqe. E thënë në shifra, Shqipëria ka rezerva prej më pak se 220 milionë fuçi që mund të nxirren nga nëntoka. Vitin e kaluar, ky tregues qe rreth 190 milionë fuçi. Ndërkaq, studimi bën të ditur se prodhimi i naftës është rritur shumë kohët e fundit. Të dhënat e dhjetorit të vitit të kaluar, tregojnë se në Shqipëri u nxorën mesatarisht rreth 7 mijë fuçi naftë bruto në ditë. Dy të tretat qenë naftë e prodhuar privatisht përmes koncesioneve të ndryshme ndërsa vetëm një e treta i dedikohet kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës "Albpetrol". Dhjetë kompani të huaja, mes të cilave edhe gjigantët ndërkombëtar të hidrokarbureve kanë kërkuar naftë në nëntokën shqiptare gjatë dy dekadave të fundit. Në total ato kanë shpenzuar mbi 600 milionë dollarë për shpime eksperimentale në det dhe në tokë, por rezultatet kanë qenë zhgënjyese. Sipas këtyre kompanive, në Shqipëri ka naftë, por ajo ka një përqindje të lartë rëre, gjë që e bën të vështirë ose të pamundur ta nxjerrësh në sipërfaqe për përpunim. Për pasojë, vendi duhet të presë edhe disa dekada të tjera derisa bota të krijojë teknologjinë e nevojshme për ta nxjerrë këtë lloj nafte. Shqipëria ka arritur të nxjerrë deri në 2.4 milionë tonë naftë në vit në vitet 80, por prodhimi filloi të bjerë me rënien e investimeve për mirëmbajtjen e puseve dhe për hapjen e puseve të reja.

Last Updated on Monday, 23 March 2009 22:37

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›