E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, votuesit ndikohen nga gjatësia

Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, amerikanët do të analizojnë më me vëmendje pikëpamjet e kandidatëve. Një studim i ri arrin në përfundimin se votuesit mund të ndikohen në zgjedhjen e tyre edhe nga tipare fizike të kandidatit, të shtyrë nga një instinkt i trashëguar nga e kaluara e largët e njerëzimit. Pra ka ka njerëz që zgjedhin kandidatin e tyre thjesht bazuar në tipare fizike të tij. Studiuesit në Universitetin Texas Tech University kanë dalë me idenë se një ndër faktorët është gjatësia e kandidatit, që ndoshta e ka zanafillën tek instiktet e lindura që në kohët parahistorike. Këto përfundime u botuan në revistën Social Science Quarterly nga profesori i shkencave politike Greg Murray dhe studenti i tij pasuniversitar David Schmitz. Autorët sjellin si shembull udhëheqësit shtatlartë të shumë shoqërive të lashta, si dhe ndikimin që ka forca fizike në botën e kafshëve. Ata shtojnë se kandidatët më të gjatë kanë fituar 58 për qind të zgjedhjeve nga viti 1789-2008.
Autorët pyetën 467 studentë të lindur në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit të vizatonin një figurë që përfaqësonte konceptin e "qytetarit të zakonshëm" dhe një tjetër për "udhëheqësin ideal kombëtar" para se t`u kërkohej që t`i vizatonin këto figura së bashku në të njëjtën fletë. 64 për qind e studentëve vizatuan figurën udhëheqëse më shtatlartë se qytetarin. Studiuesit më pas u kërkuan studentëve të vlerësonin veten si udhëheqës dhe kandidatë të mundshëm. Rezultatet treguan një lidhje të fortë statistikore mes gjatësisë trupore dhe vlerësimit që studentët i jepnin vetes si udhëheqës.
Një fakt interesant si për shkencën e antropologjisë, ashtu edhe për prirjet politike të vendit. Barak Obama, me gjatësi 1 metër e 85 centimetra, ishte goxha më i gjatë se rivali i tij, republikani Xhon Mekein në zgjedhjet e vitit 2008. Por së paku dy nga rivalët e mundshëm Obama për zgjedhjet e ardhshme, ish-guvernatorët Rik Peri dhe Mit Romni janë aq të gjatë ose edhe më të gjatë se presidenti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›