E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pep Guardiola La Liga mbetet prioriteti i Barcelones

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka këmbëngulur në rëndësinë e La Ligas, në prag të ndeshjes ku skuadra e tij do të përballet me Betisin e fundit të dhjetë.
Edhe pse e gjithë vëmendja është përqendruar te dueli me Realin e Madridit në çerekfinalet e Kupës së Mbretit, tekniku “blaugrana” nënvijëzoi se skuadra e tij e ka marrë seriozisht dhe është plotësisht e përqendruar te ndeshja e radhës.
“E kam theksuar gjithmonë se kampionati është aktiviteti më i rëndësishëm. Gjithmonë!! Aty tregohet se ke qenë më i miri javë pas jave dhe që të mban në formë optimale për të gjitha aktivitetet e tjera, duke nisur nga Champions League e për të vazhduar me Kupën e Mbretit. Barcelona i përgatit të gjitha ndeshjet me seriozitet, pavarësisht nëse janë zyrtare apo miqësore. Tashmë është momenti për ndeshjet e kampionatit, ne duam të ndryshojmë situatën ku ndodhemi dhe të përqendrohemi te ndeshja”, u shpreh ai.
Edhe pse foli për rëndësisnë e ndeshjes në kampionat, Guardiola tha se Barcelona është me fat që do të përballet në Kupë me Realin, ku ndeshja e parë do të luhet në datën 18 në “Santiago Bernabeu”.
“Është një privilegj të luash kundër një skuadre të tillë. Në çdo tre ditë luajmë ndeshje të ndryshme, por jemi me fat që do të ndeshemi me Realin në Kupën e Mbretit ”
Barça ka 38 pikë në kampionat, 5 më pak se madrilenët e drejtuar nga Zhoze Murinjo, megjithatë Guardiola ka besim se katalanët do të luftojnë deri në fund, duke rikujtuar se skuadra e tij ka fituar tre trofe në këtë edicion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›