E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subashi: Vonesat në reformë cenojnë procesin

30/08/2010 Afrimi i zgjedhjeve lokale, KQZ apel partive

Afrimi i zgjedhjeve lokale sjell me vete dhe presionin ndaj dy partive kryesore në vend për ndërhyrjet e nevojshme në reformën elektorale. Në vijimësi, si nga faktori ndërkombëtar, ashtu dhe ai i brendshëm, është kërkuar nisja nga puna për realizimin e reformës zgjedhore, duke u bazuar pikërisht tek rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ndërkohë që vendi është futur tashmë në një vit elektoral, apeli për ndërmarrjen e një hapi të tillë nga ana e PS-PD është prezent pothuajse çdo ditë, nisur nga vetë rëndësia që mbart në vetvete marrja e një hapi të tillë, për standardet e procesit zgjedhor. Kështu, së fundmi dhe vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëroi dje dy forcat politike PS dhe PD se po rrezikojnë standardet e zgjedhjeve të pritshme vendore, duke shtyrë pa fund reformën elektorale. Një qëndrim i tillë u mbajt dje nga nënkryetarja e këtij institucioni, Dëshira Subashi. Në intervistën e saj për median Subashi vuri në dukje pikërisht faktin se vonesat në kohë, do të vënë seriozisht në dyshim, punën efiçente të KQZ, për sa i takon vendimmarrjeve të rëndësishme për vendoret. “Sa më shumë kohë të humbet, aq më shumë do ta vinte në vështirësi punën e KQZ-së. Forcat politike duhet të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme meqë ato janë administratorë të tyre”, vlerësoi Subashi, gjatë fjalës së saj, lidhur me një çështje të tillë. Njëkohësisht, duke sqaruar në këtë linjë, Subashi pohoi se “kapitujt që bëjnë fjalë për zgjedhjet vendore, nuk u cenuan në kod”. Por sipas saj, pavarësisht një momenti të tillë, sërish është e domosdoshme ndërhyrja me propozime konkrete, pasi ne zgjedhjet e shkuara, u cenua struktura e ligjit zgjedhor në tërësi. Për këtë arsye, nënkryetarja e institucionit qendror të zgjedhjeve, Subashi u rekomandoi forcave politike në vend që “ndryshimet në kod të reflektojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”. Parë në këtë këndvështrim, Subashi lëshoi kritika për partitë, të cilat, në mungesë të vullnetit, krijuan një proces numërimi të mangët dhe kritik në raportet ndërkombëtare. Në vlerësimin e saj, faji nuk është i Kodit Zgjedhor, pasi ligji e ka të mirëpërcaktuar procesin e numërimit të votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›