Suedia, grant ndihme për Shqipërinë prej 2.7 milionë euro
Ministria e Financave nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Suedisë, e përfaqësuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim. Nëpërmjet kësaj marrëveshje kuadër, pala suedeze vë në dispozicion për programet dhe projektet që do të realizohen për periudhën 2009 2012 një kontribut në formën e grandit deri në 90 milion SEK për çdo vit ose rreth 2.7 milion euro në total.
Në emër të qeverisë shqiptare, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave z. Ridvan Bode i cili falënderoi qeverinë suedeze për ndihmën duke theksuar se kjo do të rrisë më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. Ndërkohë në emër të palës suedeze ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes z. Joakim Stymne, Zv. Ministër për Bashkëpunimin për Zhvillim, i cili garantoi për mbështetjen e Suedisë në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, realizimin e reformave si dhe rritjen e bashkëpunimit në mbështetje të këtij qëllimi. Në përputhje me Axhendën e Parisit dhe kodin e sjelljes së BE, bashkëpunimi do të përqendrohet në dy sektorë kryesorë: Qeverisja demokratike dhe të drejtat e njeriut; Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve njerëzore dhe mjedisit dhe mbështetja në shoqërinë civile.