E Diel, 1 Nëntor 2026

“Crans Montana”,Shqipëria, interes nga investitorët e huaj për rrjetet ndërkombëtare të gazit



Shqipëria po shihet me interes nga kompanitë e huaja për t’u përfshirë si vend tranzitor në rrjetet ndërkombëtare të gazit. Një prej këtyre projekteve është ai i gazsjellësit Trans-Adriatik, i cili do të nisë nga Bari i Italisë, do të kalojë në Seman të Shqipërisë dhe do të përfundojë në Selanik të Greqisë. Vendimmarrja politike për këtë projekt pritet të merret në gjysmën e dytë të vitit. “Ne jemi në negociata me qeverinë greke për zhvillimin e këtij projekti. Me qeverinë shqiptare bisedimet kanë qenë pozitive, gjithashtu edhe me ato me qeverinë italiane. Në projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik, Shqipëria dhe Greqia do të jenë vende tranzitore dhe si të tilla do të bëhen shumë të rëndësishme në Evropë për sa i përket furnizimit me gaz”, - tha përfaqësuesi i Kompanisë “Stat-Oil”, Naske Afezolli. Gjatë sesionit të forumit të “Cras Montana”-s, kushtuar sektorit të energjisë elektrike, është folur pikërisht për rrjetet e gazit dhe masat që do të ndërmarrë Komisioni Evropian, për të evituar krizat në furnizimin me gaz në Evropë. “Komisioni Evropian po përgatit një paketë masash rregullatore për të evituar këto kriza. Një hap i madh është krijimi i infrastrukturës ndërkombëtare të gazit, duke ofruar investime”, – tha përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Markus Brokhof. Të pranishmit në forumin e “Cras Montana”-s kanë theksuar se për projektet e gazsjellësve është e rëndësishme që politikanët të qëndrojnë larg dhe gjithçka të lihet në duart e kompanive.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›