E Diel, 1 Nëntor 2026

Sukses i merituar i shfaqjes “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”

14/04/2010 Luixhi Pirandelos, zbret në skenën e Teatrit Kombëtar

Në datat 9, 10, 11, në skenën e Teatrit Kombëtar u shfaq kryevepra e Pirandelos. Publiku e priti shfaqjen në mënyrë shumë të ngrohtë, duke vlerësuar pa përjashtim të gjitha elementet e saj, duke filluar nga regjia e Mehmet Xhelilit dhe duke vazhduar me lojën shumë të mirë të Fatos Selës, Eftjola Laçkës, Olta Dakut, Marjeta Ljarjas, Dritan Boriçit, por edhe të grupit mbështetës të përbërë nga Flaura Kureta, Fadil Kujovska, Suela Konjari, Sokol Angjeli, Devis Muka, Merkur Bozgo, Erin Kujovsa, Dea Xhelili, Klodian Hoxha, Elida Janushi, Dasara Xhangolli, Arjeta Dhima. Publiku duartrokiti gjithashtu edhe skenografinë tepër të veçantë të Genc Shkodranit dhe kostumografinë e Anila Zajmit. Më poshtë po japim bisedën që zhvilluam pas shfaqjes me regjisorin Mehmet Xhelili.

Pse zgjodhët Pirandelon, dhe më konkretisht “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”?

Sepse kryevepra “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” ka qenë për teatrin po aq kuptimplote, sa zbulimi i kubizmit në artet figurative. Në të Pirandelo, paralelisht me intrigën tronditëse dhe shumë tërheqëse që pasqyron jetën fatale të gjashtë personazheve, zhvillon edhe një linjë tjetër, subjekti i së cilës përbëhet nga elementet bazë që përbëjnë institucionin e teatrit: teatrin vetë, dramën e shkruar dhe publikun. Për analogji, unë kisha gjithë pritshmërinë që realizimi i “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” në Teatrin tonë Kombëtar të kthehej jo vetëm në një ngjarje të rëndësishme kulturore kombëtare, por edhe në një diskutim të hapur artistik, në kohën dhe vendin e duhur, mbi problemet serioze mbi të cilat është mbërthyer prej shumë dekadash teatri dhe publiku shqiptar.

Si i ka lindur Pirandelos ideja për krijimin e dramës “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”?

Në esenë e rëndësishme që shoqëron botimin e dramës së tij, Pirandelo tregon se një ditë fantazia i solli në studion e punës gjashtë personazhe të pleksur keqazi në një dramë të ngatërruar, por që për autorin nuk paraqiste ndonjë interes të madh për t’u futur në botën e artit. Kështu që ai i refuzon dhe i nxjerr jashtë nga studioja e tij. Në një lloj mënyre, refuzon jetët e tyre.

Megjithatë, siç thotë Pirandeloja: “Duke qenë krijesa të shpirtit tim, këto gjashtë personazhe tashmë kishin lindur dhe kishin një jetë të tyren që nuk ishte më e imja, një jetë që unë nuk kisha më pushtet që t’ua mohoja”.

"Pse të mos e paraqes këtë fakt shumë të çuditshëm të një autori që, pasi i ka pjellë në fantazinë e tij, nuk i lejon të jetojnë disa prej personazheve të tij, këta personazhe që, pasi ndiejnë se në venat e gjakut u lëvrin jeta, nuk duan të mbeten të përjashtuar nga bota e artit? Pse të mos shkojnë atje ku më shumë se në çdo vend tjetër marrin jetë personazhet dramatike, domethënë, në skenë? Dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Sigurisht, rezultati ishte ai që pritej: një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse, një dramë që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrëse në të, dramë që ata e kanë brenda vetes dhe e vuajnë, që merr frymë, flet, lëviz vetë, që bën të pamundurën për të gjetur mjetet për t’u shfaqur. Dhe nga ana tjetër, komedia e përpjekjes së kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë në mënyrë të improvizuar.

Drama e tyre ka në qendër një familje të shkatërruar: Babai, Thjeshtra, Nëna, Biri, Vogëlushja dhe Djaloshi. Është një familje e ngatërruar në një histori tepër tronditëse.

Babai është një intelektual i shtresës së mesme që është martuar me një grua nga shtresat e ulëta (Nëna). Pas lindjes së fëmijës së tyre të parë (Biri), familja është shkatërruar për shkak se Babai e përzë gruan e tij (Nënën), pasi zbulon se ajo ka një lidhje intime me sekretarin e tij. Për hakmarrje, Babai në fillim i ka larguar gruas së tij Birin. Në këto kushte, Nëna detyrohet të martohet me sekretarin dhe i hiqet e drejta të takojë të birin. Nga martesa e re lindin tre fëmijë. I mbetur i vetëm, Babai fillon të interesohet për familjen e re. Thjeshtra, vajza e ish-gruas, kujton se ai e priste atë të dilte nga shkolla për t’i dhënë dhurata. Pas këtij interesimi, i frikësuar, ish-sekretari largohet nga qyteti bashkë me familjen, dhe Babai pas këtij largimi i humbet kontaktet me ta.

Pas vdekjes së burrit të saj të dytë, Nëna dhe fëmijët e saj rikthehen në qytet, më të varfër se kurrë. Ajo gjen punë në dyqanin e Madam Paçesë, pa e ditur se Madam Paçeja e përdor bijën e saj, Thjeshtrën, si prostitutë, edhe pse ajo është në zi pas vdekjes së të atit. Një ditë prej ditësh, këtë “dyqan” e viziton Babai, një klient i vjetër i Madamë Paçesë. Aty ai ndeshet me Thjeshtrën, vajzën e ish-gruas së tij. Në momentin kur janë duke u përgatitur për të kryer aktin, Nëna hyn dhe e tmerruar shikon vajzën që abuzohet nga ish-burri i saj.

Pas kësaj ngjarjeje tejet tronditëse, Babai fton të jetojnë në shtëpinë e tij ish-gruan me fëmijët e saj, duke prishur në këtë mënyrë rrjedhën normale të jetës së tij dhe të Birit.

Por kjo familje është e huaj në këtë vatër, prandaj nuk mund të qëndrojë gjatë aty. Për shkak të ftohtësisë së pazakontë që tregon Biri, kjo familje pothuajse zhduket nga vdekja aksidentale e Vogëlushes dhe nga vetëvrasja e Djaloshit, djalit nga martesa e dytë e Nënës. Pas kësaj ngjarjeje tragjike, Thjeshtra largohet një herë e përgjithmonë, duke i lënë përsëri të tre: Babanë, Nënën dhe Birin, të cilët janë bërë fatalisht të huaj për njëri-tjetrin.

A mendoni se publiku e priti shfaqjen, ashtu siç e keni parashikuar ju?

Po, unë jam shumë i lumtur, sepse publiku e priti shumë mirë shfaqjen, mbase edhe më mirë sesa unë e kisha imagjinuar. Kjo tregon një shkallë pjekurie të spektatorit tonë, sepse vepra të tilla si “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” nuk janë të lehta për t’u kuptuar. Kjo erdhi falë punës shumë të mirë sidomos të trupës së aktorëve, me në krye Fatos Selën, Eftjola Laçkan, Olta Dakun, Marjeta Ljarjan, Dritan Boriçin, por edhe me grupin mbështetës përbërë nga Flaura Kureta, Fadil Kujovska, Suela Konjari, Sokol Angjeli, Devis Muka, Merkur Bozgo, Erin Kujovsa, Dea Xhelili, Klodian Hoxha, Elida Janushi, Dasara Xhangolli, Arjeta Dhima, si dhe nga skenografia e Genc Shkodranit dhe kostumografia e Anila Zajmit.

A do të vazhdojë shfaqja të jepet për publikun kryeqytetas?

Po, shfaqja do të vazhdojë të jepet këtë fundjavë, duke filluar nga dita e enjte, në datën 15, të premten, të shtunën të dielën, në datat 16, 17, 18 prill.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›