E Diel, 1 Nëntor 2026

Sula: Zgjedhjet lokale, humbesit te njohin rezultatin dhe fituesin Rozeta Rapushi

Mazhoranca e nis kete sesion te ri parlamentar me apelin ndaj opozites qe te marre realisht pjese ne votimin e nismave te rendesishme ligjore ne Kuvend. Deputeti demokrat, Dashnor Sula, ne nje interviste per gazeten "Koha Jone", i ben apel deputeteve socialiste qe te votojne nismat ligjore qe kerkojne shumice te cilesuar prej 84 votash, ne sherbim te shoqerise dhe jo te politikes. Sic eshte projektligji per Gjykaten Administrative apo ndryshimet ne Kodin Penal, Civil dhe Kodi i Punes. Nderkohe qe uron qe ne zgjedhjet lokale te 8 Majit 2011, me ne fund edhe ne Shqiperi, te vendoset standardi i njohjes se rezultatit te zgjedhjeve, ku humbesi i jep doren fituesit ne zgjedhje. Sula komentoi edhe videon me te fundit mes Ilir Metes dhe Dritan Priftit, duke e cilesuar si manipulim e falsifikim dhe gjithashtu i kerkoi prokurorise te hetoje dhe te zbardhe sa me shpejt te verteten.
Zoti Sula, kete jave nis sesioni i ri parlamentar, si anetar i Komisionit te Ligjeve, si do t'ia beni me nisma te rendesishme ligjore duke qene se opozita ka deklaruar se do te kete serish marredhenie te kushtezuar me Kuvendin? Do te mbarten serish?
Kemi disa projektligje qe kerkojne nje shumice te cilesuar prej 84 votash dhe une them se eshte detyra e te gjithe deputeteve te parlamentit, qofte te mazhorances, qofte te opozites, qe te japin kontributin e tyre ne Komisionin Parlamentar te Ligjeve per perpunimin dhe cilesine e nje projektligji per tu paraqitur ne seance plenare. Une tani po flas me gjuhen e nje juristi, duke u abstraguar si nje politikan dhe duke e ditur se kemi disa projektligje qe jane shume te rendesishem per shoqerine shqiptare dhe duhen votuar. Nisma te tilla ligjore jane, si projektligji per Gjykaten Administrative, ndryshimet ne Kodin Penal, Kodin Civil dhe disa projektligje te tjera, qe nuk kane te bejne me politiken dhe nuk kane nevoje aspak per shprehjen e nje vullneti politik, por jane nisma ligjore, qe i sherbejne shoqerise. Si te tilla, duhen votuar nga te dy kahet politike per shoqerine. Te tilla nisma, jane ndryshimet qe kerkohen te realizohen ne disa kode, si ai penal apo civil, qe jane miratuar prej vitesh dhe kerkojne permiresime. Kuptohet qe ne kete aspekt, pergjegjesia e deputeteve, detyra e tyre eshte qe t'i kaloje keto projektligje sepse nuk duan konsensus politik, apo vullnet politik. Kjo eshte thjesht nje kaprico e opozites se sotme, per te mos i kaluar ato me shumice te cilesuar. Te gjithe e dime qe nisma ligjore per Gjykaten Administrative, eshte nje domosdoshmeri imediate dhe biznesi shqiptar e ka kerkuar dhe ka ngritur shqetesimin per nje gjykate te tille. Kjo gje, do te ishte nje sukses per te gjithe politiken shqiptare, qe per te ndrequr ate padrejtesi qe ndihet ne kurriz te biznesit nga abuzuesit e administrates shteterore, Gjykata Administrative, do te ishte e padiskutueshme dhe nje kontribut i madh ne kuptimin e besimit te biznesit tek shteti ligjor. Kjo per arsye sepse Gjykata Administrative, do te jepte vendime qe do te mundesonin edhe parandalimin e abuzimit nga ana e administrates shteterore. Gjithashtu, mund te them se ka dhe projektligje te tjera si Kodi i Familjes, Kodi i Punes apo Kodet Civile e Penale, qe i sherbejne vetem komunitetit te juristeve, gjyqtareve, shoqerise shqiptare, pra qe ne fund te fundit nuk misherojne aspak vullnet politik. Personalisht, me vjen keq qe kam qene dhe relator i disa nismave ligjore per kodin penal dhe eshte punuar me shume seriozitet, ku kane kontribut edhe deputetet e opozites ne Komisionin e Ligjeve edhe nuk eshte votuar. Keto nisma u rrezuan ne seance plenare, duke qene se opozita nuk voton asnje projektligj, as me shumice te thjeshte votash, e jo me me te cilesuar. Kjo ben te mundur te krijohet ky vakuum ligjor ne institucione, si ne Prokurori apo edhe ne gjykate. Keto projektligje kerkohen edhe nga komuniteti nderkombetar, qe beri apel me mjaft force, qe keto projekte te kalojne ne Parlament. Ndaj nuk eshte normale qe nje situate e tille te vazhdoje. Ne kete kuader, i bej thirrje opozites qe te gjithe kolegeve te mi te opozites, jo si kolege politikane por si juriste, qe te japin kontributin e tyre. Ne si juriste, duhet te jemi me te pergjegjshem, sepse ne fund te fundit politika ne momente te caktuara nuk duhet te mungoje vendimmarrja per keto nisma te rendesishme. Keto projekte nuk duhet te ngaterrohen me problemet apo debatet mes opozites dhe mazhorances, pra politikes.
Ju mendoni se historia e gjate e debatit te kutive te votimit eshte i mbyllur tashme? Duke qene se tek kjo histori eshte edhe fillesa e bojkotit dhe marredhenies se kushtezuar te opozites me Kuvendin...
Qe ne vitin 2009, kur nisi debati dihet se ne si ligjvenes duhet te respektojme ligjin dhe Kushtetuten e vendit. Une kam qene gjithnje skeptik dhe them gjithnje se marreveshjet politike sigurisht jane te vlefshme per politiken dhe shoqerine, por ato marreveshje qe cenojne ligjin dhe kushtetuten, i sjellin me shume dem politikes se sa mire. Ne duhet te ecim ne nje rruge apo nje precedent qe krijon baze te shtetit ligjor, se sa nje marreveshje politike qe per momentin duket sikur jep frytet e saj por me pas behet ne vitet e me vonshme kthejet ne nje precedent te rrezikshem ne politiken ne vend. Une do te thosha, se ne ne zgjedhjet ne prag, do te respektojme kodin zgjedhor, kushtetuten, Kolegjin Zgjedhor, vendimet e Gjykates Kushtetuese dhe te Kodit Zgjedhor. Sigurisht qe te gjithe palet mund te kene pretendime, por ne fund te fundit verdiktet qe japin institucionet duhet te njihen. Per sa kohe qe politika nuk do te kete respektin maksimal per institucionet e pavarura dhe ligjin, kjo do te perbeje nje burim rreziku dhe nje burim qe mund te sjelle infektim per te gjithe politiken dhe do sjelle deme ne shoqerine shqiptare. Une gjykoj, qe ne se ne do te perqendrohemi dhe do te respektojme te gjithe vendimet qe merr prokuroria, gjykatat dhe per sa kohe qe keto vendime jane te formes se prere, pa diskutim kushdo qofte, politikan i djathte apo i majte, duhet t'i respektoje sepse do te thote se respekton shtetin ligjor.
Reforma Zgjedhore nuk po realizohet, nuk mendoni se do te kete te njejtat probleme edhe pas zgjedhjeve te ardhshme, kontestime te gjata te pales qe do te humbe?
Une do te thosha se Reforma Zgjedhore u realizua ne vitin 2008. Ne kete vit, u bene ndryshime shume te rendesishme qofte ne Kushtetute ashtu edhe ne Kodin Zgjedhor. Une kam pasur fatin te jem nje prej anetareve te Komisionit te Ligjeve, ku u kalua permiresimi i Kodit Zgjedhor dhe do te thosha, se kontributi i te gjithe anetareve te ketij komisioni ishte shume i madh. Madje do te thosha, se opozita ka qene violina e pare ne Kodin Zgjedhor, ku kerkoi ndryshimin me te madh ne te dhe mazhoranca dha konsensusin. Ky eshte nje kod me standardet bashkekohore dhe une them se nuk eshte e keqja tek Kodi Zgjedhor. E keqja eshte tek interpretimi qe mund t'i behet atij apo tek deformimi qe mund t'i bejne sipas interesave te tyre qe paraqesin ne shume raste te pabaza. Ndersa te gjithe, administrata zgjedhore si e pushtetit qendror edhe lokal do te respektoje Kodin Zgjedhor dhe ligjin sigurisht qe ne nuk do te kemi pretendime. Por ne se njera force politike, e cila ne momente te caktuara ajo humbet dhe nuk paraqet argumente bindese qe ka nje deformim te kuadrit ligjor apo nje deformim te procesit zgjedhor, parazgjedhor dhe gjate procesit te numerimit te votave, atehere sigurisht interpretimet me pas dhe klima politike nxehet dhe jep frute qe nuk jane te mire per te gjithe shoqerine shqiptare.
Po a mund te prodhoje Parlamenti nisma te mira ligjore, vetem me kontributin e mazhorances, duke qene se opozita serish do te kete marredhenie te kushtezuara?
Cilesia e projektligjeve eshte ne kuoten maksimale sepse dhe opozita dhe mazhoranca, qe te dyja ne Komisionin e Ligjeve marrin pjese ne diskutimin e projektligjeve dhe japin kontributin e tyre per permiresimin e tyre. Opozita nuk eshte shmangur ne Komisionin e Ligjeve per kontribut ne permiresimin e projektligjeve te paraqitura. Kjo nuk eshte pengese. Thjesht, kemi mos votim te ketyre projektligjeve ne seance plenare, sepse deputetet socialist kane nje vendim te tyre politik, qe ua ka dhene kryetari i tyre Edi Rama qe keto projektligje te mos votohen. Si ato me votim te thjeshte ashtu edhe ato me shumice te cilesuar. Kuptohet qe mazhoranca projektligjet e thjeshta i voton dhe kontributi i opozites eshte brenda dhe mazhoranca nuk ka as edhe nje problem per t'i shqyrtuar, votuar ato dhe per t'i kaluar ne seance plenare. Ndersa per sa i perket projektligjeve me shumice te cilesuar, ketu eshte demi i madh qe shkakton opozita dhe do te shtoja se opozita me kete sesion te ri, absolutisht nuk duhet te vazhdoje te mbaje kete qendrim sepse me 8 Maj kemi nje eveniment te madh sic jane zgjedhjet e pushtetit vendor. Nese vijohet keshtu, do te acarohet me tej klima politike. Gjithsesi, me vjen mire qe edhe Zoti Majko eshte shprehur se kurrsesi opozita nuk do t'i shmanget zgjedhjeve dhe duhet te vazhdoje te jape kontributin e saj ne politike. Uroj qe te kemi nje fushate zgjedhore te qete, mes kandidateve te dy kampeve politike dhe normale. Do te ishte mire qe kete here, secili kandidat ne zgjedhje t'i shtrengoje doren kandidatit qe i buzeqesh fitorja.
Si e komentoni videon e bere publike mes ish zevendeskryeministrit Ilir Meta dhe ish Ministrit te Ekonomise, Dritan Prifti?
Komenti im eshte me shume si nje jurist dhe ish prokuror. Ndaj do te thosha qe ne se e gjithe politika shqiptare dhe shoqeria shqiptare besojne ne shtetin ligjor dhe do te respektojne te gjithe vendimet qe jepen nga prokuroria dhe gjykatat, atehere ne kemi arritur nje sukses shume te madh. Ne kete rast, do te thosha qe eshte nje gje e mire reagimi i menjehershem i Prokurores se Pergjithshme, Ina Rama, ne respekt te ligjit dhe hetimi qe do te behet nga ana e prokurorise duhet te jete nje hetim i sakte, i plote dhe real pa ndikimin me te vogel nga ana e politikes. Nje rezultat me pas qe do te jepet nga Prokuroria duhet te respektohet nga te gjithe. Une kam besim qe do te zbardhet e verteta, qe eshte nje e vertete e stisur, e falsifikuar dhe e manipuluar. Megjithate une them se eshte ne integritetin profesional te prokurorise qe te vijoje hetimin, sepse i ka dhe te gjithe kapacitetet si profesionale etj, per te arritur ne nje konkluzion qe hetimi te jete real dhe i vertete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›