E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulm terrorist në Stockholm

Nga Express më 12 dhjetor 2010 në ora 19:14

Sulmuesi u vetëvra gjatë shpërthimit në kryeqytetin suedez. Mediat suedeze njoftuan se paraprakisht kishin pranuar mesazhe kërcënuese elektronike me përmbajtje islamiste. Sulmi në Stockholm përfundoi me një të vrarë, edhe pse mund të kishte pasoja shumë më të rënda.

Një sulmues vetëvrasës shpërtheu të shtunën mbrëma një automjet në qendër të qytetit të Stokholmit, i cili përplot njerëz që kishin dal të bënin blerjet e zakonshme për Krishtlindje. Pak minuta më vonë, dhe 200 metra më tutje, sulmuesi hodhi veten në erë. Si pasojë, u plagosën dy kalimtarë, njëri prej të cilëve u dërgua për trajtim në spital, por pa rrezik për jetë.

Drejtësia suedeze këto dy shpërthime i vlerësoi si "sulm serioz terrorist". Zëdhënësi i policisë, Anders Thornberg, deklaroi të dielën se autoritetet nuk mendojnë se Suedia ndodhet para rreziqeve për sulme tjera të këtij lloji. Prandaj, sipas tij, as gjendja e alarmit terrorist, që ishte vendosur në muajin tetor, nuk do të ndryshojë.

Sipas të dhënave të hetuesve, rezulton se ata nuk kanë informacione për bashkëpunëtorët eventual në sulm. Megjithëse, menjëherë pas sulmit policia filloi me patrullime shtesë në qendër të Stockholmit.

Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, edhe më herët kishte folur për përpjekjet për kryerjen e një sulmi terrorist në vend.

"Dështoi një përpjekje shumë shqetësuese për sulm terrorist në pjesën më aktive të qendrës së Stockholmit. Por, ajo mund të ketë përfunduar me pasoja katastrofale", shkroi në natën mes të shtunës dhe të dielës në rrjetin shoqëror të internetit, Twitter, ministri i Jashtëm Bildt.

Policia dhe drejtësia suedeze nuk dhanë informacione për identitetin e atentatorit. “Ende nuk janë lajmëruar as të gjithë familjarët e tij”, thuhet në argumentim. Ndërkohë që nga policia dhe nga agjencia e lajmeve TT u konfirmua vetëm pranimi i kërcënimit përmes e-mailit. Sipas këtyre dy burimeve, porosia elektronike, e cila u pranua pak para shpërthimit, përmbante kërcënime islamiste.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›