E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmet në Norvegji,Topi ngushëllon mbretin

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi Mbretit të Norvegjisë, Harald V, në të cilin shprehen ngushëllimet për familjet e 91 viktimave dhe dhjetëra të plagosurve, si dhe dënohen me forcë aktet terroriste që ndodhën dje në Oslo dhe në ishullin e Otoja.

"Me trishtim të madh kam ndjekur lajmet e hidhura të sulmeve çnjerëzore të djeshme që goditën kryeqytetin tuaj dhe pasojat fatale të tyre. Në këto momente të vështira dhe dhimbjeje për vendin dhe popullin Tuaj, më lejoni që në emër të popullit shqiptar t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave e të plagosurve!",thuhet në mesazhin e Presidentit.

"Këto ngjarje të rënda që tronditën jo vetëm qytetarët norvegjezë, por edhe mbarë opinionin botëror, na rikujtojnë për rrezikun konstant të terrorizmit ndërkombëtar dhe për sfidën e vazhdueshme, me të cilën ne së bashku, si aleatë në NATO përballemi vazhdimisht dhe mbi të cilën duhet të dalim patjetër fitimtarë në emër të një ardhmeje më të mirë e më të sigurtë për popujt dhe vendet tona", vijon mesazhi.

Kreu i shtetit shpreh solidaritetin e lartë njerëzor dhe mbështetjen e pakursyer për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tragjike.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›