E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet me thikë mjeku Agron Ylli, arrestohet agresori Valisi



Dëshmitarët: Mjeku u qëllua pse nuk pajisi me raport për “Kemp” gruan e 35-vjeçarit

Reagojnë bluzat e bardha: Jemi të pambrojtur

Mospërmbushja e një kërkese kundrejt bashkëshortit të pacientes për një raport mjekësor i ka rrezikuar seriozisht jetën një mjeku endokrinolog në zonën e “Shallvareve”, ku kishte klinikën e tij private. Mjeku është gjendur krejtësisht i pambrojtur për jetën përballë agresorit të tij, i cili e ka qëlluar mizorisht dy herë pas refuzimit për të plotësuar një fletë raporti për “Kemp”. Debati me fjalë midis agresorit dhe mjekut ka degjeneruar në përdorimin e armëve të ftohta. Mjeku është qëlluar dy herë në ije dhe në gjendje të rënduar është transportuar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Brenda një kohe të shkurtër, policia kryeqytetase ka vënë në pranga autorin e tentativës së vrasjes, shtetasin Bujar Valisi. Mjeku, sipas dëshmive në vendngjarje, është qëlluar dy herë me thikë në klinikën ku punonte. Shkak, sipas të dhënave të para, ka qenë mospajisja e Valisit me një raport mjekësor për gruan e tij. Burime zyrtare të policisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 10:30 të paradites së djeshme, në klinikën private të mjekut Ylli, 50 vjeç, e cila ndodhet në afërsi të pallateve “Shallvare” në Tiranë. Policia identifikoi brenda një kohe mjaft të shkurtër dhe ndaloi autorin e këtij krimi, 35-vjeçarin Bujar Valisi, ndaj të cilit është ngritur akuza “plagosje e rëndë me dashje”. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një debati mes mjekut endokrinolog e diabetolog Ylli dhe autorit të krimit. Policia tha se hetimet lidhur me këtë ngjarje vazhdojnë, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e ftohtë e llojit thikë. Ndaj autorit të dyshuar Bujar Valisi është dhënë masa e arrestit në flagrancë, për konsumim të veprës penale të “plagosjes së rëndë me dashje”.

Hetimi

Policia kryeqytetase dhe grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes janë duke punuar për të saktësuar motivin që e shtyu Valisin të qëllonte me armë të ftohtë mjekun. Nga hetimet paraprake mësohet se fillimisht mjeku dhe autori i shoqëruar nga bashkëshortja e tij kanë qenë në një lokal pranë parkut “Rinia”. Valisi i ka kërkuar doktor Yllit që t’i japë raportin “Kemp” për gruan e sëmurë me diabet. Mjeku, që siç duket ka refuzuar, ka hasur në zemërimin e 35-vjeçarit, i cili në grindje e sipër me doktorin e ka goditur këtë të fundit me thikë. “I arrestuari dhe mjeku janë përfshirë në një debat me fjalë, por më pas 35-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe e ka qëlluar mjekun dy herë në zonën e ijes”, - thonë burimet policore, duke iu referuar dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes. Mjeku 50-vjeçar ka rënë përtokë i gjakosur e më pas është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore. Mjeku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale të kolegëve të tij, për të riparuar venat e dëmtuara nga tehu i thikës. Mjekët e Spitalit Ushtarak kanë pranuar se gjendja shëndetësore e mjekut Agron Ylli ka qenë mjaft e rëndë për shkak të humbjes së gjakut në sasi të mëdha, por në operacion e sipër situata është dominuar dhe tashmë konfirmohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mjekun ka shkuar ta vizitojë në spital kreu i Shëndetësisë, Anila Godo, kurse bluzat e bardha janë shprehur për mediat, jo vetëm të indinjuara për këtë veprim, por edhe të frikësuar, duke u shprehur të pambrojtur në punën që bëjnë. Sipas burimeve nga spitali, për fat të mirë, gjendja e mjekut endokrinolog është jashtë rrezikut për jetën, ndonëse ai duhet të qëndrojë nën trajtim mjekësor. Ndërkaq, e njoftuar për ngjarjen, policia ka bërë një “krehje” të zonës së populluar me lokale dhe ka vënë në pranga autorin e dyshuar, 35-vjeçarin Bujar Valisi. Policia nga ana e saj ka dyshime të forta se Bujar Valisi nga Kashari ka hyrë në klinikë me paramendim për të qëlluar mjekun me thikë, ndërkohë që disponon si provë të fortë marrjen e armës së ftohtë në shtëpi.

Reagimi i mjekëve

Dhuna fizike mbi një tjetër mjek ka alarmuar bluzat e bardha dhe strukturat shëndetësore. Ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka shkuar menjëherë në Spitalin Ushtarak ku dhe ka qëndruar pranë ekipit mjekësor që ka asistuar endokrinologun Ylli. Po kështu, pranë mjekut janë gjendur edhe kolegët e tij të QSUT-së. Menjëherë pas plagosjes së mjekut pranë klinikës private, policia ka arritur të vërë në pranga agresorin. Ai është Bujar Valisi dhe sipas dëshmitarëve, ka hyrë në klinikë i armatosur, duke qëlluar mbi mjekun. Po të njëjtat burime dëshmojnë se personi në fjalë ka tentuar edhe dy ditë më parë të hyjë në klinikë, por personeli duke e parë gjendjen e tij psikike të rënduar e ka larguar prej mjediseve. Sipas mjekëve të tjerë, Valisi kishte bashkëshorten e tij paciente pranë kësaj klinike dhe ky fakt mendohet se ka qenë edhe lidhja e tij me këtë sulm.

Precedentët

Rikthehet krimi te bluzat e bardha. Agresioni ndaj mjekut Agron Ylli është rasti i tretë brenda këtij viti i sulmit ndaj bluzave të bardha. Në prill 2008, shefi i Kardilogjisë, Ali Refatllari, u qëllua nga Arben Strazimiri në dalje të spitalit. Autori pohoi pas ngjarjes se e kishte plagosur mjekun për shkak të vdekjes së dajës së tij pak javë para sulmit. Por, policisë pas përgatitjes së materialeve i rezultoi se Strazimiri ishte me probleme psiqike. Më 30 shtator, në Vlorë u qëllua 12 herë me thikë pas shpine një ndër neurologët më të njohur, Kosta Koçi. 65-vjeçari kur doli nga koma i deklaroi policisë identitetin e agresorit dhe tha se ishte qëlluar pas një debati, ku personi i kërkonte që t'i kuronte të ëmën.

Kush është mjeku i sulmuar

Mjeku Agron Ylli, 50 vjeç, mban gradën Asistent Profesor, i njohur mes mjekëve në spitalin "Nënë Tereza” si një ndër specialistët më të mirë të tiroideve dhe diabetolog. Mjeku Agron Ylli ka qenë më parë për disa vite shef i repartit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në kryeqytet, ndërkohë që e ushtron këtë profesion prej 26 vitesh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›