Përkeqësimi i motit, paralizohet puna në portet e vendit
Dendësia e borës në zonat veriore shkakton anomali në qarkullimin rrugor, paralajmërohen drejtuesit për përdorimin e zinxhirëve
Erërat e forta, shirat e dendur dhe dallgët mbi 7 ballë në det kanë paralizuar tërësisht punën në portet e vendit. Kjo situatë e përkeqësuar e motit e ka bërë mjaft të vështirë punën aty, ndërkohë që mësohet se është ndaluar dalja e anijeve dhe peshkarexheve në det. Porti i Durrësit është përfshirë në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga moti i keq dhe deti i trazuar. Era e fortë që fryn nga jugperëndimi ka bllokuar përkohësisht përpunimin e mallrave, si dhe nisjen e anijeve nga ky port. Burime zyrtare nga kapitaneria e portit thanë se era e fortë i ka detyruar anijet tregtare dhe elektrovinxhat që punojnë për ngarkimin dhe shkarkimin e tyre, të ndërpresin punën në pritje të përmirësimit të motit. Nga burimet zyrtare mësohet se në det të hapur nuk ka asnjë motopeshkatore, ndërsa anijet tregtare që ndodhen në radën pranë portit, nuk kanë paraqitur probleme. Deri në mbrëmjen e djeshme kur janë nisur tragetet e radhës drejt Barit, nuk ka mbërritur ndonjë traget tjetër me udhëtarë, ndërsa ende nuk dihet se deri kur do të vazhdojë moti i keq me erë të fortë dhe det të trazuar. Në bashkëveprim me autoritetin portual dhe kapitanerinë, dispeçeria e peshkimit u ka bërë me dije pronarëve të anijeve edhe kalendarin e pritshëm për gjueti, i cili nuk është premtues. Në të njëjtën situatë me anijet e tonazhit të rëndë dhe atij të mesëm, janë përfshirë edhe tragetet e linjave, që kanë destinacion brigjet italiane. Shirat e shumtë kanë shkaktuar përmbytje edhe në rrugët e qytetit bregdetar, po kështu në ujë kanë përfunduar edhe shtëpi dhe biznese në disa lagje të qytetit, ku më e rëndë situata paraqitet në Plazh dhe në Shkozet. Ndërsa trafiku është rënduar së tepërmi veçanërisht paradite, ku shënohet dhe piku i lëvizjes së automjeteve. Aktualisht në gjirin e Durrësit era fryn me shpejtësi deri në 20 metër në sekondë dhe forca e detit arrin në shtatë ballë, por këto nuk mjaftojnë, pasi nga të dhënat që ka kapitaneria, moti pritet të përkeqësohet. Që prej dy javësh gjiri detar i Durrësit është përfshirë disa herë nga moti i keq me reshje shiu, erë të fuqishme dhe det të trazuar. Por, situata e njëjtë përshkruhet edhe në portet e tjera në vend. Edhe në Shëngjin e Vlorë, kapitaneria e portit ka ndaluar daljen e peshkarexheve apo anijeve në det, për shkak të erërave të forta e detit të trazuar shumëballësh. Situata tashmë ndodhet nën kontroll, bëjnë të ditur burimet, ndërkohë që përkohësisht të vetmet që lundrojnë në det të hapur janë tragetet që vijnë nga Italia. Situata e keqe është paraqitur nga shirat e dendur edhe në qytetin bregdetar të Vlorës. Sipas burimeve nga ky qytet, shiu ka përmbytur disa godina në lagjen “24 maji”. Mëngjesin e djeshëm, banorët e godinave 4-katëshe janë gdhirë të përmbytura nga uji. Katet e para notonin nga ujërat që kishin depërtuar në brendësi të banesave.
Rëndohet qarkullimi nga bora në Kukës
Shiu dhe dëbora që nisën mëngjesin e djeshëm dhe që kanë vijuar përgjatë gjithë ditës dhe natës në zonën verilindore të vendit kanë shkaktuar probleme në disa akse të rëndësishme të vendit. Sipas burimeve nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve, reshjet e dëborës që nisën në mëngjes në gjithë rajonin verilindor kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në aksin kryesor rrugor që lidh Tiranën me Kukësin dhe me doganën e Morinit. Trashësia e dëborës në këtë zonë ka arritur mbi 10 centimetra dhe për normalizimin e situatës është dërguar një borëpastruese. “Reshjet e dëborës që nisën në mëngjes në gjithë rajonin verilindor, kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në aksin kryesor rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën, në afërsi të Qafë-Shllakut”, - ka bërë me dije drejtori i Drejtorisë Rajonale të Mirëmbajtjes së Rrugëve, Rushit Gashi. Nga të njëjtat burime mësohet se shiu i dendur dhe dëbora në zonat e larta kanë shkaktuar bllokimin e akseve që lidhin komunat e Arrnit, Grykë Cajës, Zapodit e Kalisit me pjesën tjetër të vendit. Në disa fshatra të këtyre komunave trashësia e dëborës ka arritur mbi 30 centimetra. Reshjet e shiut e dëborës kanë shkaktuar probleme edhe në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin e Peshkopinë, ku ka pasur rrëshqitje dheu e gurësh në trasenë e rrugës. Ndërkohë janë intensifikuar përpjekjet për të mbajtur hapur akset kryesore rrugore, veçanërisht atë Morinë-Kukës-Qafë Shllak ku është dhe lëvizja më e madhe e automjeteve. Ndërkohë, zyra e emergjencave në Kukës ka nisur marrjen e masave për t’i bërë ballë situatës. Sipas drejtorit, Azem Tema, është duke u punuar për të mbajtur të hapura e për pasojë të kalueshme akset që kanë lëvizje më të madhe. Në një mot të tillë, kujdes po tregohet për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe të gurëve, që janë një tjetër problem për banorët e këtyre zonave.
Detaj
30 cm ka mbërritur trashësia e dëborës në disa fshatra të Kukësit, duke shkaktuar bllokim të akseve rrugore
7 ballë ka qenë dje deti Adriatik, duke bërë gati të pamundur daljen në det të anijeve dhe peshkarexheve
20 metër në sekondë është shpejtësia me të cilin fryn era në gjirin e Durrësit dhe forca e detit arrin në shtatë ballë