E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulo Gradeci: Si më zgjodhi Enveri në krye të sigurisë

Vijon intervista e radhës së Sulo Gradecit. Çfarë kishte ndodhur në udhëheqjen e lartë të shtetit komunist kur Hysni Kapo i kërkoi Enver Hoxhës për ristrukturimin e grupit të sigurimit të tij personal.
Kush ishin kandidaturat e diskutuara për të përzgjedhur kryeoficerin e sigurimit të jetës të njeriut të pushtetshëm. Momentet interesante kur Hysni Kapo hyri në zyrën e Enver Hoxhës për ti vënë në tavolinë emrat e njerëzve të sprovuar të sigurimit të shtetit, për të vënë dorën mbi njeriun që do ta shoqëronte deri në fundin e jetës.
Çudia e pabesueshme kur ai sodiste sytë mbi 7 emrat e listës së paraqitur, ndërkohë që kërkonte atë të ish kryetarit të degës së brendshme të Beratit, Sulo Gradecit.
Çfarë i tha Hysni Kapos për emrin e Gradecit dhe urdhri që dha për ta thërritur në krye të grupit të sigurimit të tij personal. Momentet e veçanta kur oficeri i sigurimit Sulo Gradeci, u thërrit në zyrën e Enver Hoxhës për të bërë prezantimin e fillimit të detyrës specifike pas të cilës do të bëhej i njohuri i shtetit komunist. Këto dhe të tjera, lexuesi i gjerë i "Gazeta Shqiptare" do ti mësojë pikërisht në intervistën ekskluzive të vetë zotit Sulo Gradeci.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Sulo. Ishte moment disi i çuditshëm, por edhe emocional ai që përshkruat nga intervista e numrit të kaluar kur ndërsa Enver Hoxha po largohej nga zyra tuaj e degës së punëve të brendshme ku ishit kryetar, ju pyeti se çfarë halli kishit. Pas kërkesës suaj, ju erdhi menjëherë transferimi për në Tiranë gjë që po ta analizosh duket shumë interesante. Duket e tillë mendoj unë, se tashmë ishit vënë në vëmendjen e Enver Hoxhës.
Ashtu është. Unë e ndjeva që isha vënë në vëmendjen e tij që në momentin para se të largohej nga zyra ime ku kishte punuar tre katër ditë aq sa kishte ndenjur në Berat. E kujtoj atë çast kur më tha: "Më thuaj ç'farë problemi ke, mos hezito". Dhe unë i kërkova transferimin. Pastaj më befasoi premtimi i mbajtur kur ai kishte një mori punësh njëherësh.
Ku u emëruat pas kësaj?
Jam emëruar në degën e Survejimit.
Çfarë ishte kjo degë?
Kjo ishte një strukturë apo organ i shërbimit të fshehtë, ku sot quhet "SHIK".
Çfarë detyre morët në atë degë?
Gjithë institucioni apo struktura e saj përbëhej nga tre degë. Unë fillimisht kalova punonjës i saj dhe pasi kaluan tre muaj, u emërova nënkryetar i njërës degë.
Për efekt saktësie absolute, kush ishte kryetar i saj?
Edip Kuçi quhej, por ai erdhi më vonë. Në atë sektor atëherë kemi bërë punë kolosale.
Ku e shikonit madhësinë e asaj pune që e konsideroni "Kolosale"?
Unë përgatita njerëz nga gjithë Shqipëria. Kjo lloj përgatitje e njerëzve në kushtet e reja ishte e nevojshme se jemi në kohën kur ne u prishëm me serbët. Pra, duhej prishur gjithë rrjeti i tyre agjenturor, i cili duhet të pranojmë që këtu te ne ishte shumë i sofistikuar dhe duhej zbuluar dhe zhvleftësuar. Pra shkurt fjala, duhej zbuluar rrejti agjenturor i një shteti tjetër, i cili ishte instaluar në vendin tonë me profesionalizëm të veçantë.
E vërtetoni këtë fakt?
Kjo është shumë e vërtetuar se tashmë dihet veprimtaria e dendur e bandave të shumta, madje kriminale që kanë zbarkuar mbi territorin tonë për të marrë pushtetin me dhunë. Kjo nuk të lë mëdyshje se çfarë agjenturash kanë vepruar këtu.
Ku u emëruat pas kësaj detyre?
Pas kësaj kalova në degën e sigurimit të udhëheqjes, që quhej dega e gjashtë në atë kohë. Unë isha nënkryetar i saj. Kryetar kishim Muço Saliun, ndërkohë që ishin dhe Serafin Meçe, Mitat Gjondedaj, Rustem Curri, Gani Kodra, etj.
Pra ju siguronit udhëheqjen në atë kohë?
Shiko. Anëtarët e Byrosë Politike kishin oficerë që bënin shërbim që mund të ishin një ose dy. Kandidatët kishin nga një oficer ose ushtar. Merreshim me këto organizimet që ishin kur këta personalitete lëviznin për shembull brenda apo jashtë Tiranës. Merreshim me organizim, por jo me kompetenca të plota se e bënim lëmsh punën pastaj.
Sa qëndruat në këtë sektor?
Këtu qëndrova rreth një vit e gjysmë. Pas kësaj kam shkuar në Shkollën e Partisë.
Sa ishte Shkolla e Partisë në atë kohë?
Ishte aty te nëntë apo dhjetë muaj. Mbasi përfundova Shkollën e Partisë mu ngarkua menjëherë një detyrë speciale që do të më dërgonte me urgjencë në Korçë?
Çfarë detyre ishte kjo?
Ishte koha që filluan provokacionet e gushtit dhe unë ika nga dega e gjashtë dhe shkova në Korçë. Aty u mora me zbulimin e veprimtarisë së fshehtë greke. Pra me shërbimet sekrete greke, pasi duhet të kesh parasysh se grekët vërtet sulmuan brutalisht dhe forcërisht kufirin shqiptar, por ata këtë e paraprinin dhe me një shërbim të sofistikuar agjenturor. Pikërisht në krye të një grupi hetuesish, unë shkova për parandalimin e kësaj veprimtarie të fshehtë.
Me çfarë do të merreshit konkretisht kur të tjerët luftonin me armë në kufi me forcat e organizuara greke?
Për aty ku kishim dyshime, e ndalonim dhe e merrnim në pyetje nëse zbulonim gjë. Pra, ishim në shpërbërjen apo në kundrazbulimin e strukturës së fshehtë greke.
Çfarë ishit aty juve?
Unë isha shefi i grupit të hetuesve të ngritur për situatën luftarake të zonës së Korçës. Atje ishte një ekip i madh që merrej me këtë punë. Ishte gjithë hetuesia, pasi ishim para një ngjarje të armatosur të krijuar nga një ushtri e rregullt.
Pra ju merreshit me grumbullimin e informacionit të fshehtë?
Edhe të arrestimeve se pasi e përpunonim këtë formacion, ne bënim edhe ndalime aty ku ngrinim alibinë, pasi këto forca greke nuk vinin në një vend pa marrë informacion, se natyrisht u duhej të dinin apo të kishin ditur se ku po shkonin dhe çfarë kishin përpara.
E kë arrestonit më konkretisht?
Nga informacionet për shembull mësonim se ai apo ky person lëvizte në mënyrë të dyshimtë në këtë apo në atë vend. Këtë kishim të drejtë ta ndalonim dhe ta hetonim me vëmendje të plotë. Vetëm në rast se nuk rezultonte sipas dyshimit e linim të lirë.
Ka pasur raste që keni arrestuar?
Patjetër, por jo brutalisht dhe ata nuk quheshin të arrestuar, por të ndaluar.
Sa i mbanit të izoluar? Pra, fjala është se kush është maksimumi kohor që i keni mbajtur?
Kemi mbajtur jo më shumë nga dy muaj, por ju thashë se mungonte brutaliteti. Unë isha vetë shefi dhe ata përgjigjeshin vetëm përsa i pyesnim dhe pjesën tjetër të kohës kishin të drejtë të rrinin me ne dhe bënim dhe humor madje.
Keni konstatuar konkretisht ndonjë njeri që të ishte agjent i grekut, pra keni zbuluar ndonjë?
Jo. Nuk rezultoi të binte në dorën tonë ndokush që të ishte me të vërtet agjent. Të gjithë të ndaluarit u lanë sërish të lirë. Por do të të thosha se të jesh hetues ka një rëndësi të madhe se ke një përgjegjësi të jashtëzakonshme që nga mënyra si do të përpilosh pyetjet dhe si do ti bësh ato. Si do të trajtosh situatën dhe personin që ke përpara.
Dhe pas provokacioneve ku vijuat?
Pas kësaj, pikërisht në vitin 1950, unë u emërova kryetar i Punëve të Brendshme të Përmetit.
Pas Përmetit ku vijuat?
Nga Përmeti erdha në sigurimin e ushtrisë. Saktësisht isha në Ministrinë e Brendshme ku mbuloja seksionin e sigurimit të ushtrisë. Pas kësaj kaloj prapë në degën e tretë të drejtorisë së dytë, sepse dega e gjashtë e sigurimit të udhëheqjes tashmë ishte kthyer në drejtori që quhej "Drejtoria e Dytë". Drejtor ishte Xhule Çirakun zëvendësdrejtor Llambi Peçini, Jaup Dabulla etj.
Me çfarë merrej dega e tretë e kësaj drejtorie?
Dega e tretë ku unë isha kryetar merrej me sigurimin e udhëheqjes në lëvizje kryesisht jashtë Tirane, por edhe brenda Tirane.
Dhe që nga drejtoria e dytë, ju kaluat pastaj në shërbimin personal të Enver Hoxhës, apo jo?
Nuk do ta harroj ndonjëherë atë moment kur më thërriti Hysni Kapo në zyrë dhe më ka komunikuar detyrën e re. Mu tha se ishte menduar që unë të kaloja në drejtim të grupit të sigurimit të Enver Hoxhës. Sigurisht, për mua ishte një situatë ekzaltuese, sepse ishte një vlerësim i madh që të bëhej në atë kohë. Nuk i thonë shaka të caktoheshe për të siguruar jetën e njeriut që ishte kthyer "Mit" dhe udhëheqës shpirtëror për popullin. Sigurisht mora parasysh edhe rreziqet që duhej të kalonim, sepse dihej veprimtaria e agjenturave dhe rrezikshmëria që i paraqitej në çdo çast jetës së Enver Hoxhës, për të cilën unë e shokët e mi të shtrenjtë u caktuam ta ruanim. Pas kësaj jeta ime sigurisht do të ishte në tension të vazhdueshëm dhe çdo çast në gjendje alarmi.
Si ndodhi saktësisht që u emëruat në një detyrë që s'kishte ekzistuar më parë në sigurimin personal të Enver Hoxhës, dhe si u përzgjodhët konkretisht?
Erdhi momenti që duheshin ndryshuar shoqëruesit Axhem Abazi dhe Halim Zano. Axhemi, i cili kishte vite që siguronte shokun Enver, ishte moshuar dhe kishte nevojë për pushim. Po kështu Halim Zano filloi edhe me probleme shëndeti. Pra lindi nevoja që këta dy shok të devotshëm të mund të tërhiqeshin dalëngadalë nga ajo detyrë. Por pikërisht në këtë kohë që Enver Hoxhës do ti lëvizeshin dy shoqëruesit e hershëm, duke parë dhe acarimin e situatave të brendshme dhe të jashtme, lindi edhe nevoja e krijimit të një grupi të posaçëm sigurimi që do të merrej me ruajtjen dhe sigurinë fizike të Sekretarit të Parë të Partisë. Në këtë analizë lindi edhe nevoja të zgjidhej një person për drejtimin dhe koordinimin e punës dhe shërbimeve, pra kryetar grupi.
Dhe si u përzgjodhët?
Për këtë personalisht nga Hysni Kapo mbi baza studimesh dhe informacionesh të sakta është përpiluar një listë-projekt që mesa mbaj mend ka qenë me gjashtë-shtatë emra. Midis tyre siç mund të kuptohet ishte dhe emri im.
Kush ishin kandidaturat e mundshme të përzgjedhura në atë listë nëse ju kujtohen?
Ishte si kandidaturë, Llambi Peçini, Jonuz Mersini, Zëvendësdrejtori i drejtorisë sonë Servet Backa, isha unë, ishte Jonus Mersini, ishte Drejtori i Zbulimit, e ndonjë tjetër që nuk po më kujtohet për momentin.
Kë do të zëvendësonin saktësisht juve në atë detyrë?
Nuk do të zëvendësoja kënd për faktin se deri në ato momente shërbimi dhe sigurimi pranë Enver Hoxhës funksiononte disi më ndryshe dhe me më pak njerëz.
Në atë kohë siç ju përmenda ishte Axhem Abazi dhe Halim Zano si shoqërues. Shofer kishte Isuf Çoba dhe dy të tjerë. Kaq ishin. Tani ju shpjegova, ishte se kërkohej një kuadër i posaçëm që të merrej me organizimin dhe mbikëqyrjen e të gjithë shërbimit të sigurisë pranë tij. Ky ka qenë më së shumti një merak dhe insistim i Hysni Kapos për një person të këtij pozicioni në sigurimin e Enver Hoxhës. Kështu si u arrit kompromisi për të pasur këtë strukturë u paraqit lista që ju thashë.
Çfarë kompromisi se nuk po ju kuptoj?
Por Enveri nuk ka qenë dakord të fryhej personeli që shërbente në familjen e tij. Këtë që po ju them jam i sigurt se nuk e besojnë shumë njerëz, pasi kam dëgjuar tashmë se si janë shprehur dhe çfarë budallallëqe kanë folur. Unë ju them se ai ka qenë kategorik që të mos kishte shtesë njerëzish. Edhe për këtë rast që po ju flas që të krijohej disi një strukturë ndryshe, ku në sigurimin e tij të ishte një grup i veçantë qoftë dhe i vogël, por kryesorja që të ishte një person përgjegjës ka hezituar shumë. Por siç ju shpjegova Hysni Kapo shfrytëzoi situatën e krijuar që jua citova pak më lart, që do të largoheshin dy truprojat e tij për ta bindur. Pra ky ishte kompromisi që të theksova pak më lart për të krijuar grupin dhe kështu fati e solli që të isha pikërisht unë shef i tij. Madje po ju them se Enveri ndikoi drejtpërdrejt që ky grup të mos konsiderohej ndërmarrje më vete, që do të thoshte se askush të mos kishte kompetenca veç shërbimit që kryente? Prandaj unë s'kisha asnjë të drejtë firme dhe as të hiqja apo të merrja askënd madje asnjë pastrues. Kisha vetëm shërbim, gatishmëri.
Duhet ti besojmë kaq thjesht këto sa thoni zoti Gradeci?
Këto tashmë janë provuar dhe juridikisht se unë kam hyrë në Burg nga regjimi i Sali Berishës vetëm se i kam shërbyer Enver Hoxhës. Madje më akuzuan e ç'nuk më thanë dhe për tre vjet gërmuan dhe ku nuk gërmuan për të gjetur qoftë dhe një lloj abuzimi dhe e di ç'farë? Pas tre vjetësh jam liruar në sallën e gjyqit me pafajësi absolute. E pra, ai ishte Enver Hoxha që nuk na dha asnjë lloj kompetence dhe vendosi rregulla kryesisht në familjen dhe shërbimin e vet që të mos abuzohej. Gjithçka që shpenzohej apo prekej aty, evidentohej më së miri. Çdo blerje dhe çdo veprim është bërë vetëm me vendim kolegjial, duke u firmosur nga një komision. Ndërsa në grupin për të cilin flas po them se nuk kisha asnjë të drejtë firme dhe asgjë. Siç ju thashë vetëm përgjigjeshe me kokë se të kishin besuar jetën e Enver Hoxhës dhe me të ne kuptonim unitetin dhe udhëheqësin shpirtëror të popullit. Pra, Sulo Gradeci prandaj po thotë se e ka për nder që ka shërbyer në sigurinë e Enver Hoxhës, se ka bërë detyrën ndaj popullit. Le të interpretojnë si të duan ata që dikur kanë qenë servilë të vetë Enver Hoxhës.
Po le të vijojmë në momentin që u vendos - thatë juve- që të përcaktohej një person në drejtim të grupit të Enver Hoxhës.
Jemi te momenti i përzgjedhjes së emrit. Hysni Kapo siç ju thashë si bindi Enverin për qenien e një komandanti për të drejtuar grupin e sigurimit të tij, i çoi listën e kandidaturave që të thashë pak më lart për t'ia vënë në tavolinë vetë Enver Hoxhës. Të gjithë siç edhe i njohët nga emrat që ju përmenda, ishin personalitete të ardhur nga struktura kyçe të shërbimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Enver Hoxha duhej të jepte mendim apo të përzgjidhte personin që do të ishte kryetari i grupit.
Dhe si procedoi?
Kur lista e përgatitur ju vendos para nga Hysni Kapo ai i kishte lexuar me zë emrat. Ju kujtoj këtu se për emrin tim i kishte folur edhe më parë Hysni Kapo, i cili më kishte njohur që në luftën e famshme të Selenicës apo Kongresin e Përmetit, por edhe më mbrapa. Pra Enveri që mesa mendoj kishte mbajtur mend edhe kohën kur ishim takuar në Berat, kur isha kryetar dege, e kishte fiksuar mirë emrin tim. Kështu e dija se ai kishte krijuar një përshtypje shumë të mirë.
Pra jeni duke më sqaruar se Enver Hoxha po studionte listën se kë do të përzgjidhte si kryetar të grupit të sigurimit të tij apo jo?
Tamam atë. Kur e pa me vëmendje atë listë kandidaturash me shtatë emra, ndërkohë që çdo emër shoqërohej me një karakteristik të plotë të veprimtarisë së tij, duke filluar që nga lufta tha:
- Ore shoku Hysni, lërini këta të shkojnë në detyrat e tyre se janë kuadro të përgatitur dhe kryesorë ku mund të japin kontribut në shumë sektorë, pasi ka nevojë shumë Ministria e Punëve të Brendshme. Kurrsesi nuk duhet ti heqim nga kontributet që mund të japin për ti kaluar në një shërbim të thjeshtë, siç e quante ai.
Po si doli emri tuaj pas kësaj?
Këtu ka një gjë të veçantë që më ka emocionuar vazhdimisht dhe ka të bëjë pikërisht me mënyrën se si u zgjodha.
Kur Hysniu po konsultohej me Enver Hoxhën, emri im në listë ishte shkruajtur Sulo Gradeci, pra me mbiemrin "Gradeci", kurse në karakteristik e kishte Sulo Hekuran Dalipi, se ashtu e kam unë mbiemrin nga babi, "Dalipi". Në këtë moment me listën para, Enver Hoxha nuk e di si u kujtua dhe i thotë Hysniut:
- Po ju më keni folur për një shok tjetër për një Dalipi, Dalipi. Nuk është ai-i thotë.
- Aa po ai e ka "Gradeci" mbiemrin o shoku Enver - i thotë Hysniu, duke vënë gishtin te emri - e keni këtu me emrin Sulo Hekuran Gradeci. E kemi diskutuar një herë paraprakisht këtë shoku Enver.
- Ma bjer dokumentacionin e tij- i tha ai për të lexuar karakteristikën.
Pasi e lexuan dhe e panë me vëmendje të gjithë veprimtarinë time të shënuar në ato faqe formati që ai kalonte në dorë, ja ktheu Hysni Kapos duke i thënë:
- Unë jam dakord për këtë.
Për të shuar kuriozitetin tim zoti Gradeci, juve ku jeni informuar me kaq saktësi që është bërë në lidhje me emrin tuaj pikërisht në zyrën e Enver Hoxhës?
Mi tha Hysni Kapo vetë kur më thirri për të më komunikuar detyrën e veçantë. Ai ndërkohë nisur dhe nga njohja personale që kishte dhe nga vlerësimi i veçantë për mua më tregoi për kuriozitet se si shoku Enver i vuri dorën emrit tim për të qenë në detyrën e veçantë të shefit të grupit të sigurimit të tij. Pas këtij siç ju tregova të njëjtën gjë ma tregoi më vonë shefi i kabinetit të Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, i cili kishte qenë prezent kur ishte diskutuar për emrin që do të merrte detyrën e re. Pas diskutimit dhe përcaktimit të emrit, ai kishte theksuar për mungesën e administratës. Pra në këtë moment kishte urdhëruar se jam dakord që të jetë ky, por nuk dua që këtu të jetë një administratë me njërën e me tjetrën. Ky do të jetë një shoqërues, administrator, organizues i shërbimit dhe jo më shumë. Prandaj edhe unë nuk kisha askund të drejtë firme a vule, apo asnjë kompetencë veç asaj që merresha me gatishmërinë e grupit dhe fanatizmi të zbatonim me përpikëri rregulloren e funksionimit të grupit në shërbim personal të kreut të shtetit, pra Enver Hoxhës.
Në këtë detyrë për kuriozitet po ju them se unë ulesha dhe ndonjë mijë e ca lekë nga rroga në sigurimin e udhëheqjes.
Si shkuat?
Më thërriti shoku Hysni dhe më komunikoi për çfarë ishte vendosur për mua. Më tregoi për ç'ka të fola pak më lart. Pra përfundimi ishte se unë kaloja në detyrën e kryetarit të grupit të sigurimit të Sekretarit të Parë të shokut Enver Hoxha. Ai madje e dinte edhe detajin e pagës se më tha "se bie një mijë lekë në muaj nga paga aktuale" dhe kjo nuk ishte shaka, por gjithashtu edhe detyra që më ngarkohej ishte po e përmasave të jashtëzakonshme. Kështu që i thashë shokut Hysni që unë e kam kënaqësi që të punoj pranë shokut Enver dhe ky është një vlerësim i madh që do të bëj përpjekjet maksimale që ta justifikoj.
Pastaj?
Pastaj më thërriti në zyrë vetë shoku Enver. Shkova me shokun Hysni. Unë u gëzova pa masë, sepse që në kohë të luftës kisha një simpati të jashtëzakonshme për ata që siguronin shtabin e përgjithshëm apo udhëheqjen, sepse ata ishin pranë tyre dhe ja tashmë mu dha vetë mundësia të isha shumë pranë vetë Enver Hoxhës.
Shoku Enver më pyeti gjerë e gjatë. Bëmë dhe shaka. Më dha dhe porosi që të shumtat ishin të karakterit të thjeshtësisë që duhej të tregonim në ambiente të jashtme dhe korrektësinë që duhej të na karakterizonte kudo. Pas kësaj isha gati të filloja zyrtarisht punën.
Këtu është një moment edhe më emocional, pasi Enver Hoxha në atë kohë më thirri edhe në një drekë në familjen e tij gjë që ishte një mënyrë konfidence për të më prezantuar me të gjithë familjen, sigurisht edhe për të rakorduar porositë mbi detyrën time që ishte shumë delikate.
Kur ju thërriti?
Pas ndonjë jave si mora detyrën. U njoha me personelin dhe krijova kontakte dhe rakordim me të gjithë strukturat që kishin të bënin me familjen dhe punën e shokut Enver.
Si quheshit juve juridikisht si emërtesë?
Komandant i Grupit të Sigurimit të Enver Hoxhës.
Po tjetër kush ishte?
Po kur shkuam gjetëm Axhem Abazin dhe Halim Zanon dhe që më vonë për efekt moshe dhe shëndeti u ndërruan me Behar Zhurdën dhe një shoqërues tjetër.
Kush ishte në ekipin e Enver Hoxhës?
Nuk është se kanë qenë kushedi sesa siç po pretendohet e thuhet se kanë arritur të thonë deri në 700 veta eskortë që është turp ta mendosh.
Ishin tre shoferë të cilët ishin Isuf Çoba, si shofer i parë dhe më vonë erdhi Myslim Kore dhe dy shoferë të tjerë ndihmës. Pastaj ishte grupi që bënte shërbim në vendroje që quhej personel sigurimi në banesë. Këtu nuk e kam fjalën për shërbimin e gardës, por për shërbimin e grupit që drejtohej nga unë. Kështu te banesa brenda hyrjes apo te dera si të thuash bënin shërbim tre oficerë.
I mbani mend emrat?
Po ç'rëndësi kanë emrat se po flasim për sasinë e njerëzve që është bërë kaq zhurmë se jam duke të thënë që ishin pak, megjithatë meqenëse ju doni të jeni sa më i saktë dhe sa më konkret po të them se te dera kanë qenë Sulo Toto, Agron Jano dhe Kanan Lala.
Po emrat e tjerë?
Po ju saktësoj edhe një herë që në vite dhe periudha të ndryshme, ka pasur emra të ndryshëm, sepse dikush vinte dikush ikte, pasi sipas viteve dikush është sëmurë madje ka vdekur, dikush ka dalë në pension. Tani unë po ju përmend disa nga emrat e grupit të sigurimit të cilët kanë punuar në periudha të ndryshme si: Axhem Abazi, Behar Zhurda, Halim Zano, Maksi Molla, Kadri Bregu, Sterjo Gjokoreci, Rustem Hodoja, Shefqet Korbeci, Novruz Spahiu, Llazi Rovina, Dashnor Andoni, Fari Buli etj.
(Vijon nesër) 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›