E Diel, 1 Nëntor 2026

Sunderland në Top 10

Lorik Cana thotë se e sheh skuadrën e tij Sunderland duke e përfunduar sezonin në Top 10 skuadrat më të mira të Premierligës. Kapiteni i “Maceve të Zeza” e konsideron këtë pozitë mjaft të mirë, pas fitores që ekipi i tij e arriti të shtunën si mysafir i Hull City. Mesfushori kosovar u fut në lojë në pjesën e dytë, për ta përforcuar mesin e fushës dhe për ta mbrojtur epërsinë që e kishte krijuar Sunderland, pas golit të Darren Bent.

Ky trepikësh e ngriti ekipin e Steve Bruce në pjesën e epërme të tabelës, pas një kohe të gjatë. Ka ekipe që kanë ndeshje më pak, por 26 vjeçari beson se Sunderland mund ta mbrojë deri në fund pozitën që e rrëmbeu të shtunën.

“Ishte rezultat me të vërtetë i mirë. Ne do të mundohemi ta mbajmë pozitën e dhjetë deri në fund. Ne jemi në një pozitë të mirë dhe kemi ekip kualitativ. Ishte diçka speciale për ne të fitonim këtu. Nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh si mysafir në Premierligë. Bashkëlojtarët e kryen punën e tyre mirë, duke shfaqur shpirtin e duhur në lojë. Mbrojtja e jonë e kreu punën në mënyrë fantastike”, ka thënë Cana për televizionin e Sunderlandit, SAFC TV.

Cana iu kthye fushës pas lëndimit që kishte pësuar në ijë, e cila e la jashtë fushës për disa ndeshje. Përfaqësuesi shqiptar ka deklaruar se ndihet mirë, pasi e ndihmoi ekipin e tij drejt fitores.

“Unë supozoja se do të luaja vetëm 20 minuta, pasi isha jashtë qe një kohë dhe ishte e vështirë të rikthehesha për të luajtur 90 minuta të plotë”, vazhdoi ai.

“Menaxheri më tha se do më fuste në lojë, nëse do të kishte nevojë. Loja ishte e vështirë dhe ai vendosi të më inkuadronte në lojë më herët, për ta sjellë mentalitetin dhe eksperiencën time në fushë. Puna ime ishte që ta organizoja mesfushën dhe të mos e humbasim lehtë topin, përkrah dy futbollistëve të rinj”, vijoi Cana.

Ish futbollisti i Olympique Marseille provoi të shënonte edhe vetë, por gjuajtjen e tij e ndali portieri vendës, Matt Duke. “Ishte një pritje e mirë. Unë nuk kam shënuar gol këtë sezon dhe me të vërtetë dëshiroj të shënoj, para përfundimit të sezonit. Por, gjëja më e rëndësishme ishin tri pikët”, tha në fund Lorik Cana.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›