Super-Trepça ‘89

Superkupa e Kosovës në futboll i ka takuar Trepçës ’89. Skuadra mitrovicase është treguar më ‘super’ se Prishtina, ndaj së cilës fitoi me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’ në Pejë.
Fituesi i Kupës së Kosovës ka fituar me meritë, derisa bardh e kaltrit kanë tentuar t’i barazonin shifrat në pjesën e dytë, por pa sukses.
‘Xehetarët’ e gjetën golin e fitores shumë herët. Qysh në minutën e tretë, Liridon Kukaj ndërhyri në mënyrë të palejuar ndaj Kastriot Rexhës, ndërsa një minutë më vonë, Shpëtim Idrizi e mposhti portierin Flamur Neziri nga 11 metërshi.
Tentimet e prishtinasve ishin të kota, prandaj trajneri Ejup Mehmeti debutoi me humbje, në krye të ekipit kryeqytetas.
Ata që rrezikuan për kampionin e Kosovës ishin Azem Ahmeti dhe Labinot Ibrahimi, por rrjeta e portës së Enis Manxhollit mbeti e paprekur për 90 minuta.
Në fund të ndeshjes, gjyqtari Kreshnik Vula e ndëshkoi me karton të kuq sulmuesin prishtinas, zëvendësuesin Faton Zejnullahu.
Për Trepçën ’89, kjo ishte hera e parë që e fitoi Superkupën e Kosovës, në futbollin e pasluftës, pas Kupës, që e kishte fituar muaj më parë. Kjo ishte ndeshja e parë zyrtare e këtij sezoni, ndërsa duelet kampionate fillojnë mesjavën që vjen, respektivisht të martën.