Super-Vllazni, Dinamo-krizë

Dinamo nuk di të fitojë më. Nuk di të shënojë. Ka humbur fuqinë sulmuese. Këtë e tregoi sërish ndaj Vllaznisë, në të shtatën ndeshje pa fitore. Në një stadium të boshatisur, ku dhe ultrasi blu Met Nallbani kishte vendosur kokëposhtë banderolën “Respekt për Dinamon”.
Ndërsa në fazën e parë, Dinamo fitoi thellësisht 4:0 me Vllazninë në “Loro Boriçi” (java e 5-të), në ndeshjen e “Qemal Stafës” (java e 16-të), kampionia në fuqi nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola, edhe pse Gjergji Muzaka i pati të gjitha mundësitë nga pika e bardhë (51’) për t’i dhuruar 18 herë kampionëve të Shqipërisë fitoren e dytë sezonale ndaj shkodranëve.
Vllaznia mori një tjetër pikë të rëndësishme në transfertë. Pas 16 javësh kampionat, formacioni i strategut Mirel Josa renditet e treta me 28 pikë. 9 herë kampionët e Shqipërisë nuk humbasin prej shtatë ndeshjesh në kampionat dhe kanë ecurinë më të mirë në vazhdimësi rezultatesh në raport me dy skuadrat kryesuese, Flamurtari dhe Skënderbeu.
Një pjesë e parë e sezonit e interpretuar keq dhe e kompromentuar e Dinamos, që pas një fillimi të shkëlqyer – kryesonte kampionatin deri në javën e 7-të – në nëntë ndeshjet e tjera ka qenë thuajse anonime. Vetëm 3 pikë nga 21 të mundshmet. Në shtatë javë bilanci blu është shumë i varfër: katër humbje dhe tre barazime.
18 herë kampionët e Shqipërisë nuk fitojnë prej javës së se 9-të, kur triumfuan 1-2 në transfertën e Krujës me Kastriotin. Dinamo e mbylli pjesën e parë të sezonit aktual në vendin e pestë, me 25 pikë, 9 më pak se Flamurtari kryesues e “kampion i dimrit”, një diferencë e madhe.
Me vitin 2010 të mbyllur dhe me merkaton e janarit në prag, ndoshta përforcimet e deklaruara nga presidenti Besnik Sulaj – një kongolez dhe një kostarikan, si dhe me shlyerjen e pagesave të prapambetura - stafit teknik dhe lojtarëve - Dinamo mund të rigjejë formën përpara se të përballet me Tiranën në ndeshjen e parë të vitit 2011, në derbin e vetëm të kryeqytetit.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Enjte, 23 Dhjetor 2010