Superliga, Dinamo Skënderbeu 3-0
TIRANE- Dinamo ka fituar pastër 3-0 ndaj Skënderbeut, duke bërë një tjetër hap të sigurt në rrugën drejt titullit kampion. Blutë kanë mbyllur gjithçka që në 20 minutat e para, me Muçën e Malakarnen që kanë shënuar dy herë. Në krahun tjetër Skënderbeu ka qenë i pafuqishëm për të reaguar përballë skuadrës së Shkëlqim Muçës, e cila vinte në këtë sfidë me disa mungesa të rëndësishme. 10 minuta nga nisja e pjesës së dytë Diop la Dinamon me 10 vetë, por sërish porta e bluve mbeti e paprekur. Në minutën e 69-të ishte Emiljano Vila ai që mbylli llogaritë me këtë takim, duke shënuar një supergol. Fitorja e çon Dinamon në kuotën e 48 pikëve, 15 më shumë se Besa, që të dielën do të ndeshet ndaj Apolonisë në Fier. Ndërkohë, te fitorja është rikthyer edhe Tirana, që mposhti 1-0 Teutën në Durrës. Skuadrës së Alban Tafajt, që e drejtoi këtë sfidë nga tribuna, i ka mjaftuar një gol i Sebino Plakut në minutën e 39-të. Bardheblutë e mbyllën sërish ndeshjen me 10 vetë, pas kartonit të kuq të marrë në fillimin e pjesës së dytë nga Andi Lila. Në ndeshjen tjetër të ditës së shtunë, Kastrioti mundi të fitojë 1-0 ndaj Gramozit, falë një goli të realizuar në fundin e pjesës së parë nga Shameti. Kjo javë do të mbyllet me dy ndeshjet e ditës së dielë Vllaznia-Laçi dhe Apolonia-Besa.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)