E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, pesë palë syze për John Lennon

DURRËS- Monumenti i John Lenonit, që u vendos një muaj më parë në Durrës, do të ketë pesë palë syze rezervë, dhuratë e një pasionanti të muzikës.

Autori i veprës, Qazim Kërtusha, tha se dy javë më parë persona të panjohur i "shkulën" syzet origjinale të veprës së derdhur në bronx, e cila është instaluar në një nga lulishtet pranë Torrës veneciane. “Menjëherë pas kësaj mjaft qytetarë, që shprehën indinjatën për veprimin negativ, kërkuan të ndihmojnë në zgjidhjen e menjëhershme të situates”,- tha Kërtusha.

“Njëri prej tyre, me profesion axhustator, drejtues i një biznesi të vogël, më solli pesë palë syze, sipas skicës që ndërtuam së bashku”,- vijon më tej Qazim Kërtusha, i njohur si autor i skulpturave të parkut në Durrës.

Një palë prej tyre është salduar tashmë mbi hundën e Lennonit, njërit prej djemve të grupit të Liverpulit, që me muzikën e tyre në vitet 1960-1970 ushqyen ndjesinë e lirisë edhe në vendet e izoluara komuniste.

Skulptori Qazim Kërtusha falenderon qytetarët për mbështetjen dhe gjen rast të apelojë në organet e pushtetit qendror dhe vendor për më shumë vëmendje e kujdes ndaj monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe veprave të reja që janë vendosur në parqet e qytetit.
(e.m/ataBalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›